Qeveria pezullon tenderin ndërkombëtar për aeroportin e Vlorës
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka pezulluar tenderin ndërkombëtar për dhënien me koncesion për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës.
Nuk dihet ende nëse ndërtimi i këtij aeroporti do të fillojë brenda këtij viti. Shkak për këtë është bërë vendimi i APP-së për të anuluar të gjithë tenderat, përveç tenderave të lidhura me mbulimin e nevojave të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit.
Në vendim përcaktohet se të gjitha institucionet shtetërore të pezullojnë çdo tender në proces ose të ri, përfshirë edhe procedurat e prokurimit me vlerë të vogël.
Në situatën në të cilët ndodhet vendi ynë shumë projekte në buxhet janë në pikëpyetje për shkak të angazhimeve që duhet të merren për të përballuar gjendjen e krijuar për shkak të pandemisë Covid-19.
Për ndërtimin e këtij aeroporti deri tani kanë shprehur interes dy kompani italiane.
Ndërtimi i kësaj vepre nuk do të bëhet me parat e buxhetit të shtetit, por do të jetë shoqëria e cila do të dalë fituese që do të kryejë investimin dhe do të marrë për 35 vjet operimin e aeroportit.
Në fund të 35 viteve, firma do të transferojë aeroportin në pronësi të shtetit shqiptar.
Të ardhurat e kompanisë për investimin do të sigurohen nga tarifat që do të vilen nga linjat e fluturimit, ndërsa qeveria merr përsipër të garantojë fluksin e udhëtarëve të munguar.
Tenderi për aeroportin e Vlorës u hap zyrtarisht me 19 dhjetor të 2019-ës.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi se aplikimet do të zgjasin deri në 12 mars dhe punimet parashikohen të nisin në 31 maj, ndërsa kontrata koncesionare do të zgjasë për 35 vjet.
Vlora ka hyrë në historinë e fluturimeve në Shqipëri në 1914 kur u pushtua nga italianët. Ata ngritën një kamp aviacioni për qëllime ushtarake, që përveç avionëve të zakonshëm përfshinte edhe një bazë hidrovolantësh.
Në vitet ’30 -’40 transporti ajror i brendshëm mori një hov të madh, lidhur kjo me faktin se u ndërtuan aerodrome thuajse në të gjitha qytetet kryesore.
Në këtë periudhë, Shqipëria rezulton si ndër vendet e rralla në botë që kishte më të zhvilluar transportin e brendshëm ajror sesa format e tjera të transportit.
Sa i përket Vlorës, në vitet ’40, nga aeroporti i këtij qyteti zhvilloheshin tre linja fluturimesh: Vlorë-Gjirokastër ku bileta kushtonte 11 franga ari për person, Vlorë-Romë që kushtonte 90 franga ari për person dhe Vlorë-Tiranë 17 franga ari.