Përse Oltion Çaçin për kryebashkiak të Sarandës?

Nga Bardhyl Bejko

Oltion Çaçi, Olti, siç e thërrasin, është sa nga Saranda aq edhe nga Tepelena. Nëna e tij është nga Sopiku, fshati pranë qytetit. Babai nga Tepelena. Vet, ai tregon se ka jetuar në Çukë kur ishte fëmijë, fshati, lagje e Sarandës dhe ka mbresa që nuk i shuhen kurrë. Vite më parë, Ahmeti, i ati, nisi ndërtimet në Sarandë, ku pas shumë mundimesh përfundoi buzë rrugës hyrëse të qytetit një nga hotelet pozante me ballkonet e mbushura me lule që përngjajnë si diej të ndezur mbi fasadën e bardhë. Nga këtu nisën rrugën e biznesit të hotelerisë për të arritur në resortin e njohur në Golem pranë Adriatikut. Në udhëtimin nga brigjet e Jonit në Adriatik, lanë shumë gjurmë të punës dhe fantazisë si dhe përvojë të menaxhimit të pritjes së turistëve të cilët pasi vijnë njëherë, vijnë edhe vitin më pas. Po, Olti Çaçi nuk mbeti një ndihmës i të atit. Nuk mendoj se arriti gjithçka. Ai nisi rrugëtimin e shkollimit. Përfundoi studimet në Universitetin shtetëror të Kievit, ku përfundoi me rezultate të larta dhe nga ku u formua edhe më shumë për të drejtën ndërkombëtare. Etja për dije e shtyu të mësonte anglisht, rusisht, etj. Sot që Ukraina gjendet në luftë, Olti takoi në buzë detit një grup ukrainas banor të qytetit me të cilët komunikoi në gjuhën e tyre me shumë nostalgji dhe dashuri. Ata i shikon si t`i kishte njerëzit e vet. Dhe flet me respekt për karakterin e tyre, si qytetarë që e duan atdheun dhe luftojnë për ta mbrojtur lirinë dhe pavarësinë e shtetit, ku u lindën e jetuan brezat ndër shekuj. Shumë mbresa e kujtime. Folën si mes vëllezërish dhe dikush e pyeti me shaka: A do të votojnë këta ukrainasit për ty? Dhe Olti iu përgjigj: Po me dashamirësi: Me votë. jo, shpirtërisht, po. Shumë herë erdhi në Sarandë. Punoi dhe ndoqi punimet në ndërtim. U njoh, bashkëpuno, takoi, u miqësua me qindra sarandjot. Ndaj kur i thanë se mund të kandidosh në Sarandë e priti me gëzim dhe u entuziazmua. Saranda, është Ballkani i Shqipërisë. Është qytet pa tabu. Këtu, veç komuniteteve të hershme, jetojnë, jo pak të huaj që nga Italianë, danezë, norvegjezë, holandezë. Të gjithë në harmoni të plot pa asnjë incident apo dallim. Saranda ka vend për Oltin siç ka pasur prej vitesh për të gjithë. Se, siç thotë, Sotir Papa, mësuesi “Mjeshtri i madh” apo kirurgu i njohur, Dhimitër Xhaferi, Olti do jetë një kryebashkiak i ndjeshëm dhe këmbëngulës. Besimin për menaxhim të suksesshëm e deklarojnë intelektualë të qytetit si Mira, Bedria, Astriti, Eleroni, Hysen Hysi, Hysen Gaçi e qindra qytetarë të Sarandës.

Lidhjet me Sarandën

Oltion Çaçi është po aq sarandjot sa gjithë ata që kanë mbërritur buzë Jonit, atëherë kur banorë të kësaj mrekullie ishin pak shegert dhe infrastruktura ishin rrugicat me pluhur dhe barakat prej druri. Nuk flasim për lashtësinë mijëravjeçare të Onhezmi, gjetjet arkeologjike që gjenden kudo si traktate muresh dhe mozaikë. Saranda kishte atëherë dy simbole,detin dhe malin. Vit pas viti u zmadhua e u popullua, duke marrë përmasat e hapësirat që ka sot. Ndaj me shumë të drejtë, siç thonë , jo pak bashkëqytetarët të mi, Olti është po aq sarandjot sa tërë të tjerët që e populluan ndër vite dhe e bënë një nga qytetet moderne të Shqipërisë. Që i dhanë emrin qyteti, mbretëreshë e turizmit shqiptar. Secili prej banorëve hodhi spirancën në këto brigje. U lindën breza të tërë. U shkolluan. U shquan në fushën e dijes. Krijuan oazin më mahnitës të botës shqiptare, Sarandën. E ngjitën qytetin në majat e sportit të notit, volejbollit, teatrit e komedisë. Çdo vit, Sarandës iu shtua nga një bizhu, e cila e shndriti edhe më shumë qytetin rrezatues me ditët me më shumë diell në Mesdhe. Qytetin, ku netëve pasqyrohet në syprinën e blujtë të detit që përkëdhel brigjet dhe rërën, laton gurët nën dritën e argjend të hënës. Këtu e ka hedhur spirancën edhe familja Çaçi vite më parë. Në fillim, sipas një biznesmeni të njohur ndërtues, Ahmet Çaçi, babai i Oltit ndërtoi me shije dhe rregull, duke mos cenuar asnjë kondicion urban, hotelin “Floure” . Sot Oltioni është po aq sarandjot sa gjithë ne të tjerët i shkrirë me të gjithë komunitetet dhe banorët e hershëm apo të rinj. Është kjo arsyeja që kontakton cilindo tregtar, ndërtues, shahist, artist, muzikant, këngëtar, lulishtarë. Historiku i popullimit të Sarandës është i njohur nga të gjithë. Qyteti kozmopolit është me porta të hapura dhe në pallatet që zënë fill nga Limioni deri në Urën e Bistricës, ngjitur me qytezën e re të Berdeneshit e më tej me qytetin e ri, Ksamilin e shumëfishuar në tri dekada për të përfunduar me Butrintin e lashtë. Takon këtyre anëve, shkodranë, mirditorë, dibranë, kuksianë, përmetarë, korçarë nga Lumi i Vlirës, Gjirokastra, Tepelena, Fieri…Gjeografia e adresave të sarandjotëve është e gjithë Shqipëria. Saranda është oazi ku jetojnë banorët e mbërritur buzë detit nga çdo cep i Shqipërisë dhe së fundi nga më shumë se 15 shtete të botës, pa përmendur këtu që verës dëgjon gjuhët e pesë kontinenteve. Kjo është Saranda. Ky është realiteti i parë pa syze të errta, siç bëjnë disa liderë që vijnë në këtë qytet me sharje dhe përbuzje, me etiketime dhe përçmime, siç bëri Berisha dhe Meta të cilët deklaruan me mllef se kandidati socialist vjen pas shkollës së mafies në Durrës sikur Durrësi të ishte streha e krimit dhe vendqëndrimit të mafies.

Oltion Çaçi, përfaqësuesi i të resë

Në realitet, Olti vjen si përfaqësuesi i të resë. Një i ri, familjar, si administrator i progresit me formim perëndimor dhe vizione për të bërë më të mirën për Sarandën. Asnjë fjalë fyese për rivalët as në tavolinat ku pihet kafe. I mbështetur plotësisht nga qeveria për t`i dhënë këtij qyteti gjithçka i duhet. Për ta gjelbëruar e ndriçuar. Për t`i rifreskuar fasadat dhe larguar një ditë depozitat e ujit pasi synimi i tij me financimet e qeverisë, është 24 ujë në çdo cep të qytetit. Përsosje të infrastrukturës dhe përmirësim të trafikut, shtimit të mundësive të parkimit. Së pari, Olti ka një vizion të spikatur për Sarandën turistike. Ai ka projektet për ndryshim rrënjësor të konceptit për turizëm gjithëvjetor dhe elitar. Nuk kënaqet me atë që është arritur dhe ka guximin dhe formimin për të ndryshuar strategjitë e zhvillimit të turizmit të së nesërmes. Për plazhe model. Të kuruara përmes hedhjes së rërës dhe pastrimit permanent. Të pajisur me dushe të disefektuara. Jo parcelimit të detit dhe privatizimit të tij. Atje ku ka një plazh nuk do ketë ndërtim. Atje ku mungon një lulishte do krijohet një e re. Nuk ka rëndësi sipërfaqja. Edhe pak metër katror janë një vlerë e shtuar për Sarandën tonë. Atje ku nuk ka shkuar asfalti të asfaltohet. Atje ku të mbyt grija që të shton pesimizmin të vizatohet me ngjyrat që i japin sfondit dhe fasadave pamjen qetësuese për sytë e të gjithëve. Synimi i tij, siç thotë në takimet e shumta, është Saranda ndryshe. Jo me magji, po duke e kuruar përditë me detaje, me zgjidhje në dukje të vogla, po me synimin që hap pas hapi të kurohen mangësitë e krijuara në tri dekada, ku kanë pjesë e tyre të mëkatit edhe dy bashkëkualicionistët që ditë më parë hodhën baltë kundër Oltit, i cili është në Sarandë për t`i shërbyer qytetarit dhe vet qytetit, ashtu siç ia ka mbërritur të ngrejë nga hiçi biznesin e tij model turistik. Oltit i ngjit fjala. Ai dëgjon me kujdes. Memorizon çdo shqetësim. Regjistron çdo problematik. Skicon të nesërmen. Mendon ndryshimin. Përsosjen e shërbimeve për qytetarët. Për rrugë më të mira. Për më shumë pemë e lule për shtrirjen e shërbimeve nga Saranda në Çukë, Shelegar, Gjashtë, Metoq, Berdenesh apo Manastir. Në Ksamil. Çdo pëllëmbë e bashkisë do ketë vëmendjen e tij. Jashtë projekteve nuk mbetet rendi dhe qetësia në qytet e fshatra për një mjedis të jetueshëm pa pasur asnjë ndroje apo frikë nga cenimi i jetës nga cilido. Harmonizimi i bashkëjetesës mes komuniteteve të vjetër e të rinj apo bashkësive që vijnë nga e gjithë Shqipëria, është në qendër të punës së tij. Olti nuk është banori i sapo zbritur në Sarandë. Ai ka rrënjë të thella dhe lidhje të shumëfishta me këtë qytet, ku provoi rrugëtimin e vështirë të bërjes biznes në fushën më konkurruese, atë të turizmit. Është fusha më e rëndësishme e ekonomisë në Sarandë ndaj dhe tërë energjitë i ka drejtuar në harmonizimin e hallkave që garantojnë, jo vetëm hotele me kushte të mira akomodimi, po edhe mbështetjen me punonjës të kualifikuar, ku vëmendja është në përgatitjen e specialistëve të kualifikuar të atyre që do punojnë në këtë sektor në shërbim të të cilëve është shkolla e mesme “Hoteleri Turizëm”.

Projektet

Po kështu mbështetja e bujqësisë për produkte bio nuk mbetet jashtë vëmendjes. Po jashtë projekteve të tij nuk mbetet modernizimi i mjediseve të çerdheve, kopshteve dhe shkollave. Olti Çaçi, ka një ëndërr. Ka një synim. Ka një program. Ka një projekt. Po të gjitha këto nuk e bëjnë nihilist. As të gjykoj se ndryshimi në Sarandë fillon sot. Vlerëson punën e zgjidhjet e paraardhësve të tij. Ato që, kryetari aktual, Adrian Gurma ka bërë mirë do t`i çoj më përpara. Se nuk e nis nga zero. Zgjidhjet që synon nuk janë fantaziste. As utopike. Ai ka një qëllim serioz të mirëmenduar. Bashkë me tërë faktorët qytetarë, me intelektualët dhe kontributorët e këtij qyteti të bëjë një bashki e cila të funksionoi si një trup i vetëm me një qëllim madhor: Gjithçka për qytetin dhe qytetarët. Modernizimi të shtrihet në çdo skaj deri në skajet më fundore, kudo, ku jetojnë ata që përbëjnë bashkinë e Sarandës. Po synimet e Oltit nuk mbeten brenda juridiksionit të Sarandës. As mundësimi i projekteve nuk kufizohet me të ardhurat që akumulon bashkia. Mbështetjen më të madhe e shikon tek projektet madhore që garanton qeveria shqiptare. Projekte, siç është, aeroporti i Sarandës i cili do të jetë porta nga do zbresin turistët në fluturime direkte nga mijëra kilometra. Modernizimi i portit. Dhe porti i marinës së jahteve. Resorte turistike. Fshatra me vila në shërbim të turistëve. Zgjidhje të lëvizjes së mjeteve për të shmangur trafikun e rënduar. Në projektet e tij është një bashki efikase, ku do kenë vendin e tyre, djemtë e vajzat më të arsimuar dhe me përkushtim maksimal. Cilido prej atyre që do shërbejnë në “shtëpinë e qytetarëve” do ketë përgjegjësi maksimale, ku secili do të kryej detyrën. Gjithë sektorët e punëve nga shërbimet tek lulishtarët do jenë në krye të punëve ashtu si punëtorët e pastrimit do futen në thellësi të qytetit deri në hyrje të pallateve. Do marr fund hedhja e qeskave nëpër kthina e qoshe pallatesh. Ajo që dallon tek Oltion Çaçi është vendosja e prioriteteve. Në projektet e tij ka një radhë të menduar të punëve. Ndarë në kohë me javë, muaj, vit. Rendi i punëve varet nga emergjenca për t`i shërbyer qytetit. Ai nuk pretendon se ka shkopin magjik. Nuk është një idealist që i merr punët me lehtësi. E di shumë mirë se asgjë nuk bie nga qielli apo zgjidhet me urdhra e thirrje aq më pak me entuziazëm pa bazë. Është vërtetë i vështirë menaxhimi i një qyteti, ku në pikun turistik kalon 150 mijë banorë të cilët kërkojnë shërbim dhe përkushtim. Shkallaret e reja janë me gurë të bardhë. Po duhen mbajtur të tilla. Po si? Duke i parë nga zyra apo me shërbim të përditshëm? Gjelbërimi nuk është i shtrirë në tërë qytetin. Si do arrihet gjelbërim deri në cepat e qytetit? Kërkohet impenjim dhe mobilizim i resurseve njerëzore. Atje ku ka një pusetë të hapur duhet urgjent riparuar. Ku një pemë në trotuar është tharë duhet zëvendësuar. Një llapmë e fikur duhet ndërruar. Këto nuk do i zgjidhi kryetari i bashkisë me duart e tij. Po specialistët të cilët duhet të kontrollohen e të motivohen. Uji i pijshëm 24 orë? Një ndërmarrje e vështirë. Prej vitesh i pazgjidhur plotësisht. Si do zgjidhet? A do t`i mbetet pas derës, Edi Ramës të gjej fondet për zgjidhje përfundimtare pasi duhen miliona euro? Po për Shkollën e re që qëndron e mbyllur për mungesën e pajisjeve në lagjen numër një? Ish godina e Këshillit të qytetit në rënie si do rinovohet? Po kinoteatri, godina emblematike e qytetit si do rinovohet? Sporti si do ngjitet në nivele të reja? Ka shumë pse dhe si?Po projektet e Oltit nuk kufizohen këtu. Saranda e Ksamili kanë nevojë urgjente për tregje moderne. Le të gjendën zgjidhjet. Përvojat nuk mungojnë. Për riveshjen e rrugëve brenda qytetit dhe në fshatra. Si do realizohen? Brenda ditës? Do ishte utopi. Po mundësitë janë. Mjafton këmbëngulja, dashuria për çdo pllakë, rrugë e rrugicë për t`i dhënë Sarandës atë që meriton.

Qytetarët mbështesin fuqishëm kandidaturën e Olti Çaçit

Olti Çaçi me përkushtimin do ia mbrijë. Siguria është mbështetja e qytetarëve, përvoja si menaxher i suksesshëm, ndjeshmëria njerëzor, vëmendja dhe korrektesa, sot si kandidat dhe nesër si qytetari i parë i Sarandës. Do të do të dijë të vër në shërbim të të gjithëve tërë energjitë dhe përvojën për t’i dhënë bashkisë të Sarandës emrin dhe vlerën që meriton. Sarandjotët dhe banorët nga Shelegari deri në Ksamil e kanë krijuar tanimë bindjen se Olti nuk do jetë kryebashkiaku që do kënaqet me ndryshimet modeste, po si një kurator i zellshëm, pasionant, i papërtuar për ta lartësuar bashkinë e Sarandës në nivelet më të larta. Garancia për këto arritje është personaliteti dhe aftësia dhe mbi të gjitha dashuria që reflekton për banorët e kësaj treve të zhvilluar me perspektiva për të ardhmen. Olti besojmë shumë se do bëj diferencën për Sarandën tonë për qytetin që meriton dhe ka resurse për t’u bërë, jo vetëm mbretëresha e turizmit shqiptar, po si konkurruese me kryeqendrat turistike përreth. Është kjo arsyeja që qytetarët dhe banorët në juridiksionin e kësaj bashkie flasin me simpati dhe besim: Olti Çaçi do jetë kryebashkiaku i suksesshëm. Patjetër do bëjë diferencën për gjithçka do realizoj!