Delvina, një grusht votash të përmbysura nga demokratët te socialistët
Rreth 15 mijë votues në bashkinë e vogël të Delvinës janë ftuar të zgjedhin kryetarin e ri të bashkisë dhe 15 anëtarë të Këshillit Bashkiak më 14 maj, në një zonë që ka ndryshuar nga mbështetja masive për demokratët në mbështetje goxha të lartë për socialistët.
Delvina, ku pjesëmarrja në zgjedhje ka rënë nga 46% në vitin 2015 në 36% në vitin 2021, i dha socialistëve 50% të votave në zgjedhjet parlamentare të vitit të shkuar ndërsa Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim morën bashkërisht 43% të votave.
Bashkia e Delvinës u qeveris nga Rigels Balili, i cili ishte kandidat i LSI-së për koalicionin ASHE, ndërsa në zgjedhjet pa garë të vitit 2019 u fitua nga Majlinda Qilimi, me 97.5% të votave (2.5% ishin vota të pavlefshme).
Socialistët kanë ndërruar kandidat këtë vit. Ata garojnë me Besmir Velin, një inxhinjier i Teknologjisë së Informacionit që ka punuar në komisariatin e policisë së Delvinës. Përballë tij, Ilir Mehmeti, kandidat i koalicionit Bashkë Fitojmë, me profesion inxhinier dhe me eksperiencë pune në institucione të ndryshme të Delvinës, përfshirë bashkinë, ku ka shërbyer si nënkryetar nga viti 2009 deri në vitin 2015.
Në zgjedhjet për 15 postet e këshillit bashkiak janë nëntë parti me 146 kandidatë.
Bashkia e Delvinës shtrihet në një zonë kodrinore dhe përbëhet nga qyteti i Delvinës me fshatrat përreth dhe ish-komuna Vergo.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 morën pjesë vetëm 5 mijë nga gati 15 mijë zgjedhës në lista, gjë që sugjeron një shkallë të lartë emigrimi.