ANALIZA: Saranda duket e sigurt në duart e Socialistëve
Herën e fundit kur Partia Demokratike shënoi sukses elektoral në qytetin e Sarandës ishte viti 2007. Kandidati i saj, Edmond Gjoka fitoi përballë socialistëve dhe kandidatëve të tjerë me 50% të votave. Katër vjet më vonë, më 2011, sarandiotët e përzunë Gjokën duke i dhënë 60% të votave kandidatit socialist, Stefan Çipa. Në ish-komunën Ksamil, e cila përbën njësinë e vetme administrative që iu bashkëngjit Sarandës pas reformës së vitit 2015, kandidati demokrat humbi gjithashtu në vitin 2011, me rezultat të thellë.
Socialistët dhe aleatët e tyre të asaj kohe, Lëvizja Socialiste për Integrim, e patën të lehtë të fitonin zgjedhjet në vitin 2015 kur morën 53% të votave, ndërsa në zgjedhjet e vitit 2021, kur si PD ashtu edhe PS humbën vota në krahasim me më parë, sërish arritën të sigurojnë me lehtësi një fitore 50 me 42%. Qeverisja e Sarandës prej tyre nuk ka qenë pa telashe. Stefan Çipa nuk u kandidua më 2015 si pasojë e përplasjeve të brendshme për pushtet në PS.
Banorët e Sarandës dhe të Ksamilit janë ftuar më 14 maj të zgjedhin një kryetar të ri bashkie. Socialistët kanë vendosur të mos e rikandidojnë mjekun Adrian Gurma, i cili u zgjodh kryetar më 2019 në zgjedhje pa garë. Në vend të tij, socialistët kërkojnë mandatin e tyre të katërt radhazi me Oltion Çaçin, një administrator biznesi turistik, ndërsa koalicioni “Bashkë Fitojmë” synon ta sfidojë me Ardit Çikulin, një ekonomist i arsimuar në Greqi dhe Shqipëri dhe që ka punuar në sektorin financiar në Sarandë. Në garë janë edhe Skënder Muço, një jurist dhe sportist, i cili garon për Partinë Demokratike zyrtare si dhe Gjergji Mërkuri, i cili kandidon si i pavarur dhe po bën fushatë si kandidat antisistem.
Në Sarandë ka 48 mijë votues të regjistruar. Pjesëmarrja në zgjedhjet e shkuara ka rënë nga 58% më 2011 në 50% në 2021. Në garën e 14 majit marrin pjesë gjashtëmbëdhjetë parti, të cilat kërkojnë vende në këshillin bashkiak me 31 anëtarë. Këto parti kanë vendosur në listat e tyre të mbyllura 550 kandidatë. Një në çdo 87 votues është për rrjedhojë edhe kandidat në zgjedhje./BIRN/