Aktivitet frymëzues nga nxënësit e Sarandës në ditën e tokës
Në Ditën Ndërkombëtare të Tokës, u organizuan veprimtari ndërgjegjësuese për të qenë miqësor me mjedisin, për të ulur ndotjen dhe shtuar gjelbërimin. Interesante dhe me impakt ishte veprimtaria e organizuar nga Drejtoria e Bujqësisë, Pyjeve dhe Kullotave, Drejtoria e Turizmit dhe Njësia e Integrimit në Bashkinë e Sarandës, duke patur edhe bashkëpunimin e shkollës 9-vjeçare “9 Tetori”.
Me nxënësit e kësaj shkolle u organizuan veprimtari edukuese dhe praktike, me slloganin “Mbrojtja e tokës, mjedisit dhe burimeve ujore/ Unë, ti dhe mjedisi”.
Gjatë aktivitetit u përcoll mesazhi dhe apeli për ta dashur mjedisin dhe për t’u bërë kontributor për më shumë gjelbërim e më pak ndotje.
Kjo u shoqërua me mbjellje fidanash të rinj dhe me pastrimin e organizuar në hapësirën e Plazhit të Ri.