EMRI/ Në kërkim në Sarandë për drogë, arrestohet 30-vjeçari

Një 30-vjeçar ka rënë në prangat e policisë, pasi ishte shpallur në kërkim për drogë.

Burime zyrtare nga blutë e Elbasanit bënë me dije se bëhet fjalë për shtetasin Ergys Tarko, banues në Cërrik.

NJOFTIMI I POLICISE
Si rezultat i bashkëpunimit me Komisariatin e Policisë Sarandë, kapet në Peqin dhe vihet në pranga një 30-vjeçar i shpallur në kërkim për shpërndarje të lëndëve narkotike në doza, në Sarandë.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Peqin, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, për një shtetas të shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Sarandë, si rezultat i shkëmbimit në kohë të informacionit me shërbimet e këtij Komisariati, kanë bërë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasit:

Ergys Tarko, 30 vjeç, banues në Cërrik, Elbasan.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë, me vendimin e datës 12.04.2022, e ka dënuar këtë shtetas me 3 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, pasi në muajin gusht të vitit 2021, gjatë kontrollit të banesës ku ai qëndronte përkohësisht për periudhën e sezonit veror, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar doza të lëndës narkotike kanabis, të cilat ai i shpërndante në zonën përreth.

Veprimet e mëtejshme për këtë shtetas do të kryhen nga Komisariati i Policisë Sarandë.