Majlinda Qilimi del në krah të Besmir Velit: Do sjellë risi, zhvillim, e prosperitet për Delvinën

Majlinda Qilimi ka bërë reagimin e saj të parë në lidhje me mos kandidimin për një mandate të dytë ne krye të bashkisë së Delvinës, ku jep publikisht mbështetjen e saj për kandidatin e ri Besmir Veli.

“Të dashur bashkëqytetarë!

Të dashur miq!

Permes këtij statusi dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të thellë e njëkohësisht të falenderoj Partinë Socialiste dhe kryetarin e saj Z. Edi Rama për mundësinë që më dhanë per të qenë në krye e për t’u shërbyer banorëve të bashkisë Delvinë pergjatë këtij mandati!
Ka qenë një rrugëtim i ri për mua, një rrugëtim plot sfida e të papritura të cilat në bashkëpunim me faktorët qëndrorë e lokalë i kemi kapercyer me sukses.

Parimi i punës sime ka qenë shërbimi me përkushtim, ndershmëri, thjeshtësi e devotshmëri për të sjellë ndyshim e frymë qytetarie, duke u përpjekur e shfrytëzuar çdo mundësi që çon në përmirësimin e jetës së çdo banori në komunitet e duke mos nënvlerësuar për asnjë çast besimin e dhënë nga Partia Socialiste.

Dëshiroj përzemërsisht t’i uroj suksese kandidatit të ri dhe njëkohësisht të shpreh besimin e plotë e të palëkundur se kandidatura e përzgjedhur nga familja jonë politike, do të vijojë të kryejë të tjera punë të mira për komunitetin duke sjellë risi, zhvillim e prosperitet në të gjitha fushat.

Suksese Besmir Veli!

Suksese Partia Socialiste Delvine!

Sërish, të gjithë së bashku do t’ia dalim!”, mbyllin postimin e saj Majlinda Qilimi.