Artizania e mozaikëve, mban ‘gjallë’ traditën në Gjirokastër
Në qendrën e saj të suvenireve, në Pazarin karakteristik të Gjirokastrës, Kela Myrtaj realizon mozaikë duke sjellë kështu një risi në traditën e punimeve karakteristike. Këtë punë e nisi falë pasionit por me kalimin e viteve mozaikët u bënë pjesë e pandashme e jetës së saj.
“Ka disa vite që e kam filluar, që në vitin 2015 por ka qenë shumë e ngadaltë. Ka qenë thjesht diçka nga hiçi dhe thjesht për qejfin tim pa ndonjë motiv shumë të madh, pa ndonjë shtytje. Por sikundër që tani ndodhem në zonën muzeale të qytetit, në Pazarin e vjetër të Gjirokastrës dhe këtu çdo gjë ta imponon krijimtarinë sepse dhe arkitektura e vetë qytetit, e vetë Pazarit është unike dhe kam menduar t’i jap një shtytje dhe më të madhe”, thotë artizania Kela Myrtaj.
Në punimet e saj mbizotërojnë motivet nga qyteti i Gjirokastrës. Mozaikët paraqesin Kalanë e gurtë, Pazarin karakteristik, banesat muzeale duke u kthyer edhe në prezantuese të këtyre vlerave historike dhe ndërtimore.
“Mozaikët që unë realizoj janë komplet pamjet origjinale, pamjet normale që përmban vetë Pazari, vetë arkitektura e qytetit. Kalanë e qytetit e cila është më e vizitueshmja dhe të gjitha godinat e tjera karakteristike si Zekatët, Angonatët. Godina karakteristike që bien shumë në sy dhe që kanë arkitekturë shumë të veçantë dhe dalin punë shumë të bukura”, shprehet ajo.
Mozaikët karakteristike kanë tërhequr vëmendjen e turistëve, të cilat kanë nisur t’i preferojnë si kujtim nga udhëtimi në Gjirokastër.
“Ka goxha interes ka ndodhur që edhe vetë turistët kanë dashur ta punojnë, ta provojnë , ta realizojnë për të parë edhe idenë e vështirësisë së punës dhe normal që kam pasur edhe kërkesa. Ka ndodhur për shembull që edhe vetë turistët nga entuziazmi kanë pranuar të blejnë diçka vetëm për të shtuar motivin tim dhe për të marrë diçka vërtet nga Gjirokastra”, tregon artizania.
Punimet karakteristike në Gjirokastër përmbajnë edhe pak art brenda si dhe paraqesin tek vizitorët traditën dhe kulturën e qytetit.