VIDEO/ Rama: Transformim rrënjësor i Dispancerisë dhe Farmacisë së spitalit të Vlorës
Një tjetër investim me standarde bashkëkohore ka përfunduar në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku është rindërtuar Farmacia dhe Dispanceria e re.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga transformimi rrënjësor i këtyre dy shërbimeve të rëndësishme në Spitalin Rajonal të Vlorës.
Investimi për rehabilitimin dhe fuqizimin e shërbimit të Dispancerisë dhe Farmacisë në Spitalin Rajonal Vlorës është një investim i buxhetit të shtetit, që garanton ofrimin e shërbimeve ambiente moderne, me standarde evropiane dhe me pajisje të teknologjisë së fundit në fushën e farmaceutikës dhe radiologjisë.
Një tjetër investim që është duke u kryer aktualisht në këtë spital, një projekt ambicioz që synon të vendosë një standard bashkëkohor për qytetarët është dhe fuqizimi dhe modernizimi i shërbimit të urgjencës.
Përveç rikonstruksionit të ambjenteve të urgjencës do të garantohet edhe zbatimi i protokolleve dhe Procedurave Standarde Operacionale, duke nisur nga triazhimi i pacientëve, diagnostikimi, trajtimi dhe referimi i tyre në kohë pranë shërbimeve spitalore apo edhe për trajtime të specializuara në spitalet që ofrojnë shërbim terciar/universitar.
Përfundimi i zbatimit të këtij projekti përkon me fillimin e sezonit turistik ku Spitali i Vlorës, si spitali më i madh për rajonin e jugut është një pikë referimi jo vetëm për vizitorët e bashkisë Vlorë por edhe të bashkive Sarandë dhe Himarë.