Mirela Kumbaro: Këtë verë bëni turizëm vetëm në Shqipëri
Një nga sektorët që do të goditet më tepër nga kriza e krijuar për shkak të COVID-19 në vendin tonë është padyshim turizmi.
Në një lidhje live me Ilva Now, ish-ministrja e Kulturës, njëkohësisht deputete e PS, znj. Mirela Kumbaro u bë pjesë e diskutimit së bashku me z. Vasil Nikolla, pronar i hotel Alvero në Përmet dhe z. Drago Kalemi pronar i hotel Kalemi në Gjirokastër, sipërmarrës se si mund të shpëtohet nga shkatërrimi turizmi për verë 2020.
Znj. Kumbaro u shpreh se e vetmja mënyra për ta shpëtuar turizmin nga kolapsi i plotë është që këtë vit t’i rikthejmë sytë nga Shqipëria, duke zbuluar dhe rizbuluar pasuritë që ka vendi ynë.
“Mendoj se do të jetë e vështirë për sezonin e 2020 të parashikojmë turistë të huaj. Duke qenë se lëvizja brenda për brenda do të jetë më e lehtë fillimisht, mund të jemi një potencial të shfrytëzimit të biznesit brenda vendit. Kjo do t’i bëjë mirë biznesit, por ka edhe një aspekt psikologjik.
Asnjë nuk e di si do të jetë sjellja e publikut kur kjo krizë të marrë fund, ndaj duhet të mobilizohemi. Mendoj se kjo është koha për turizëm patriotik. Të fillojmë të zbulojmë apo rizbulojmë vendet turistike të Shqipërisë përpara se të shpejtojmë të ikim nga Shqipëria. Dhe kjo karantinë do na ndihmojë t’i shohim me një sy tjetë dhe për t’i dhënë një ndihmë turizmit të ringrihet”, tha znj. Kumbaro.
Nga ana e tij, z. Kalemi, pronari i hotel ‘Kalemi’ në Gjirokastër u shpreh se dëmi është i pallogaritshëm me prenotime që janë anuluar deri në muajin korrik dhe vijojnë të anulohen, ndërsa shtoi se kjo goditje erdhi pikërisht kur pas investimeve që ishin bërë jo vetëm nga ai privatisht, por edhe nga qeveria në zonën historike të qytetit prisnin të merrnin frytet.
Ai kërkoi nga qevria që t’i subvencionte sipas mundësive, qoftë tek taksat apo tek pagesat e punonjësve, të cilët siç tha vijon t’i mbajë në punë dhe t’i pagujë rregullisht duke qenë se janë të trajnuar dhe të specializuar në punën e tyre./ EuroNews Albania