OBSH në alarm, në pak ditë shënohen 1 milion raste me Covid-19

Bota po arrin pragun e trishtë të 1 milion të prekurve nga Covid-19 ndërsa viktimat janë mbi 47 mijë.

Europa regjistron numrin më të lartë të vdekjeve, me Italinë në krye të listës, e ndjekur nga Spanja dhe Shtetet e Bashkuara.

Përshkallëzimi i pandemisë dhe përhapja e shpejtë globale shqetëson Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

“Ndërsa hyjmë në muajin e katërt qw prej shpërthimit të pandemisë, jam thellësisht i shqetësuar për përshkallëzimin e shpejtë dhe përhapjen globale të virusit. Përgjatë 5 javëve të fundit ne kemi dëshmuar rritje të madhe të numrit të rasteve, përhapje në gati çdo vend, territor apo zonë. Numri i viktimave është më shumë se dyfishuar javën e fundit. Në pak ditë do arrijmë 1 milion të prekurit dhe 50 mijë vdekje”, tha Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtor i përgjithshëm i OBSH.

Kreu I OBSH bëri thirrje që më shumë ndihma të orientohen nga shtetet në zhvillim, përfshirë ato në Afrikë dhe Amerikën e Jugut, ku siç tha, Covid-19 mund të këtë pasojë serioze sociale, ekonomike dhe politike.

Sipas Ghebreyesus, është thelbësore që këto vende të jenë të mirëpajisura për të evidentuar, testuar dhe izoluar rastet ashtu si për të identifikuar kontaktet e personave të infektuar.