Çfarë solli sezoni turistik? Saranda me vlerësime të larta
Sezoni turistik në Sarandë po i drejtohet fundit. Operatorët turistik atje janë duke bërë bilancet, ndërsa deri më tani thuhet se sezoni turistik ishte i suksesshëm.
Arben Çipa kryetar i Shoqatës së Operatorëve Turistik në Sarandë thotë për Ora Neës se kjo verë u shoqërua me surpriza të këndshme, një nga të cilat ishte prania masive e pushuesëve italianë.
“Po për pjesën e Sarandës, me atë trendin e ri që disponon Saranda, me ambjentet turistike është totalisht një risi e re e dukshme dhe e prekshme pothuajse nga të gjithë vizitorët. Kjo ndihmoi dhe pasuroi bregun e detit, pasuroi shërbimet,” tha ai.
Saranda gjithnjë e më shumë po jep alternativa turistike, ndërsa për këtë vit ishin anijet turistike, që bënë të aksesueshme plazhe të pashkelura më parë.
“Prezenca e turistëve në Sarandë ka qenë shumë herë më mire nga çdo vit tjetër dhe vazhdon dhe në këtë moment që ne po diskutojmë të jetë prezent turisti i huaj.
Dhe mendoj se kjo ndikon pozitivisht dhe në psikologjinë e turistit , për faktin se ky qytet ka mundësinë të ofrojë shërbim edhe gjatë asaj periudhe dhe rol sigurisht luan dhe moti,” tha ai.
Vetëm përmes Portit të Sarandës për periudhën janar – shtator numri i pasagjerve në hyrje – dalje arriti 334.116.
Çmimet e arsyeshme në këtë periudhë vjeshte po tërheqin ende pushuesit europian, siç janë këta dy të rinj francezë.
“Unë kisha dëgjuar pak për Shqipërinë dhe më pas pashë në internet cilat ishin vendet më të mira për tu vizituar.
Pashë se Butrinti ishte më i vizituari. Unë doja të shkoja aty dhe qyteti më i afërt ishte Saranda. Po pushoj në tetor sepse nuk kam bërë pushime gjithë verën,” tha turisti francez.