Rama fshehu arrestimin në Bolonja, PD: Kryeministri të shkarkohet menjëherë
Ish-deputeti i PD-së Oerd Bylykbashki thotë se kryeministri edi Rama duhet të humbasë të gjitha detyrat shtetërore.
Shkak për këtë është bërë rrëfimi i Ramës për mediat italiane ku pranonte se është arrestuar në të kaluarën në Bolonja për kundërshtimin e një polici.
“Një herë më kanë arrestuar në Bolonja, pasi u revoltova ndaj një polici, i cili pyeste një grua shtatzënë se çfarë kishte në bark. I afroi qenin dhe ajo, e cila nuk dinte italisht, ra në gjendje të fikëti” – ka thënë Rama për “Gazzetta Dello Sport”.
Por kjo deklaratë sipas Bylykbashit mjafton që Rama të preket nga ligji i dekriminalizimit.
“Ka nje problem te madh me kete deklarim: eshte arrestuar nga policia. Kryeministri NUK e ka deklaruar kete arrestim ne formularin e Dekriminalizimit! Ne rast mosdeklarimi ligji dikton se ai humbet te gjitha funksionet publike. Edhe si deputet edhe si kryeminister! Ligji i Dekriminalizimit i kaluar me shumice te cilesuar nuk pezullohet me akt normativ as ne kohe lufte apo pandemie.
Sa per t’ia kulluar mendimet Kryeministrit, dy deputete jane larguar nga parlamenti per kaq gje. Thjesht sepse nuk deklaruan arrestin” – thotë Bylykbashi duke sjellë në vëmendje rastin e deputetëve Aif Rakipi dhe Gledion Rehovica.
Sipas Bylykbashit, Rama duhet të sqarojë nese ka genjyer per propagande se eshte arrestuar pasi në të kundert institucionet duhet te nisin menjëherë proceduren e parashikuar nga Ligji i Dekriminalizimit per mosdeklarim ne formularin e Dekriminalizimit te arrestimit nga policia.
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas kërkesës së PD-së për shkarkimin e tij, me argumentin se ka fshehur arrestimin në Itali.
“O Zot të lutem në gjunjë t’u japësh pak vaj për kandilin e trurit, se u është fikur krejt e nuk dinë ç’nxjerrin nga terri i gojës!
Unë flas me mediat italiane për racizmin antishqiptar në Itali gjatë viteve ’90, duke sjellë shembull një sherr me një polic në aeroport, po këta?!
Këta flasin për formularin e dekriminalizimit ku s’paskam deklaruar ndalimin nga policia!
O Zot pse nuk e pate mendjen kur i krijove këta, po i le si karabina pa mure, pa elektrik, pa ujë?!
Ndërhyr Zot i madh se gjynah këta, po gjynah edhe ky popull që çfarë nuk dëgjon prej tyre”, shprehet Rama.