Ish drejtoresha e ARRSH pyetet në SPAK për tenderin e Tunelit të Skërficës

Ish-ministrja socialiste Sonila Qato është shfaqur paraditen e kësaj të hëne në ambientet e Prokurorisë Speciale SPAK.

Qato është thirrur të merret në pyetje në lidhje me akuzat ndaj saj, kur ka qenë në krye të Autoritetit Rrugor.

Tetë muaj pas marrjes së postit, në janar 2019, drejtoresha e Autoritetit Rrugor Shqiptar Sonila Qato deklaroi dorëheqjen. Në atë kohë, ajo akuzoi Gjoka Konstruksion për falsifikim të ecurisë së punimeve në Rrugën e Arbrit, ndërsa kompania akuzoi Qaton për manipulim të një tenderi 19 milionë eurosh.

Ngjarjet në 2019, Sonila Qato pyetet sot në SPAK

Një tender për ndërtimin e një tuneli në aksin Kardhiq-Delvinë, solli akuza nga ARRSH drejt kompanisë së ndërtimit “Gjoka Konstruksion” për mashtrim në dokumentet prokurimit; ndërkohë që kompania u përgjigj duke akuzuar drejtoreshën e rrugëve Sonila Qato, për favorizim të një prej konkurrentëve.

Kompania më e madhe koncesionare për ndërtimin e rrugëve, Gjoka Konstruksion, u gjend nën akuzë se ka dhënë dokumente të rreme për të fituar një tender me fond limit 19.3 milionë euro, ndërsa iu përgjigj kësaj akuze me një kundërakuzë tjetër të rëndë, atë të manipulimit të tenderit nga Sonila Qato.

 

Sonila Qato ne SPAK, bashke me avokatin

Sipas Gjokës, dëmi që i shkaktohej shtetit dhe do të binte mbi taksapaguesit ishte 4.2 milionë euro.

Një dokument i rrjedhur në media tre vite më parë sugjeroi se kompania Gjoka Konstruksion, e cila kishte koncesionin e rrugës së Arbrit, kishte falsifikuar ecurinë e punimeve në tre tunele të kësaj rruge me synimin për të plotësuar kriteret për fitimin e një tenderi tjetër.

Dhe në fakt bëhej fjalë për segmentin tjetër rrugor të njohur si Loti 7 i rrugës Kardhiq – Delvinë, ku përfshihet edhe tuneli në Qafën e Skarficës. Gjoka Konstruksion akuzoi menjëherë Qaton si përgjegjëse për rrjedhjen e dokumenti, dhe E akuzoi drejtoren e ARRSH për manipulim sepse kishte ofruar afro 4.2 milionë euro më pak se sa oferta e shpallur fituese.

FotoArkive: Punimet e Gjoka Konstruksion ne Rrugen e Arbrit

Mbi këtë mjedis akuzash dhe kundërakuzash të rënda, Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku deklaroi në shtator 2019 se tenderi për segmentin e fundit të rrugës Kardhiq-Delvinë, për momentin do të shtyhej për shkak se qeveria “kishte prioritete të tjera”.

Dorëheqja e Sonila Qatos në atë kohë erdhi vetëm 48 orë pasi shkëmbeu akuza të rënda me kompaninë Gjoka Konstruksion. Sot, pas tre vitesh ajo është thirrur në SPAK pikërisht për këtë përplasje, nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës.