Ministrja e Kulturës: Hapet konkursi ndërkombëtar për Qendrën e Vizitorëve të Parkut të Butrintit
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka njoftuar hapjen e konkursit ndërkombëtar për projektimin e Qendrës së Vizitorëve të Parkut të Butrintit. Ky konkurs vjen pas hapjes së garës për pozicionin e Drejtorit Ekzekutiv të Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit.
“Synimi është që Butrinti, kjo pasuri botërore të mbajë denjësisht statusin që ka merituar e të kthehet në një qendër lider e trashëgimisë kulturore në rajon”, u shpreh ministrja Margariti në një postim, në rrjetet sociale.
Butrinti është një portë hyrëse, informuese dhe orientuese për turistët gjithnjë në rritje.
Qendra e Vizitorëve të Parkut të Butrintit do të ngrihet 1,5 km larg qytetit antik dhe do të plotësojë të gjitha kërkesat e një pasurie botërore nën mbrojtjen e UNESCO-s.
Afati i fundit për të aplikuar është vendosur data 24 tetor 2022. Ndërsa brenda datës 14 tetor duhet të kenë përfunduar aplikimet për drejtorin ekzekutiv të Fondacionit.
Qendra do të shërbejë si një forum edukues, vend pune për stafin e Fondacionit dhe ç’është më e rëndësishmja si një pikë takimi për komunitetin. Gjithashtu do të shërbejë si vend çlodhjeje e freskie si dhe do të ketë një dyqan.
Qendrës do i duhet të ketë një vend të ri (ose të zgjeruar) për shitjen e biletave dhe hapësira për stafin. Aktualisht është siguruar fondi fillestar prej 2,45 milionë dollarësh dhe pritet që buxheti përfundimtar të arrijë deri në 4 milionë dollarë, në varësi edhe të projektit fitues.