Adrian Gurma takim me zjarrëfikësit: Falenderues për performancën dhe mbështetje për vijueshmërinë
Momentin e ngritjes në gradë të pesë zjarrfikësve dhe atë të një emërimi të ri në këtë shërbim, efektivët e stacionit zjarrfikës të Sarandës e kanë përjetuar duke patur të pranishëm në mjediset e punës së tyre, Kryetarin e Bashkisë Adrian Gurma.
PAi ka qenë falenderues për performancën e deritanishme të këtyre efektivëve, duke përgëzuar për faktin që është përballuar me gatishmëri e profesionalizëm të lartë çdo situatë zjarresh që është paraqitur.
Kreu i Bashkisë Gurma ka vlerësuar punën e vështirë që zjarrfikësit bëjnë, duke qenë në alarm të përditshëm. “Jeni nga ata njerëz, të cilëve u flet puna dhe që shpëtoni prona e jetë, duke rrezikuar veten tuaj”, u tha atyre Kryetari Adrian Gurma.
Ai tha se gatishmëria e efektivëve zjarrfikës të Sarandës shkon përtej hapësirës ligjore e shtrihet edhe jashtë shërbimit, edhe në qasjen e tyre qytetare. Ai ka vlerësuar se situata sivjet është ndryshe nga çdo vit tjetër e se kjo indicie vjen edhe nga turistët e kësaj vere, ndërkohë që referenca të mira vijnë edhe nga struktura qendrore për stacionin e Sarandës.
Prandaj ai tha se do të jetë avokat i tyre në çdo instancë e për çdo problem, ndlërkohë që kërkoi të vazhdojnë të punojnë me këtë konsekuencë dhe performancë, si njerëz të sakrificës, si zjarrfikës dhe si shpëtues jete.
Kryetari Gurma ka ndarë kënaqësinë e shpërndarjes së gradave të reja për pesë efektivë, që kaluan nga asistentë në zjarrfikës, si dhe të emërimit të një efektivi të ri në këtë shërbim, pas testimit përmes praktikës së kryer.
Zjarrfikës që e morën fjalën në takim, bënë prezent edhe disa kërkesa të tyre.
Ato kishin të bënin me nevojën për shtimin e inventarit të automjeteve zjarrfikës e të shtimit të numrit të punonjësve, si dhe me rritjen e rrogave, me marrjen e pagesave për orët shtesë dhe për pagesën 150% për pjesëmarrje në operacione zjarrfikjeje natën etj.
Kryetari Gurma ka shprehur angazhim institucional për zgjidhjen e problematikave, referuar praktikave më të mira të disa Bashkive, ndërkohë që ka parë mjediset e shërbimit dhe gatishmërinë e inventarit të automjeteve në stacionin zjarrfikës.