Shet misra për ata që shkojnë drejt Sarandës, njihuni me kryefamiljaren e ve, të kuruar nga kanceri dhe që nuk i dorëzohet fatit
Çdo mëngjes ajo pozicionohet në cepin buzë rrugës kryesore për të qenë e dukshme për pushuesit që me mjetet e tyre mësyjnë bregdetin e Sarandës për pushime.
Është 53-vjeçe dhe jeta e ka sfiduar me fatkeqësi. Fillimisht me diagnostikimin me kancerin e gjirit dhe fill më pas me humbjen e bashkëshortit në moshë shumë të re, duke i lënë mbi shpatulla dhe kujdesin për dy fëmijët.
“Jam pak e lodhur, pak e stresuar por shumë e kënaqur që dal dhe punoj që të jetoj, të siguroj të ardhura për familjen” thotë ajo për Ora News.
“Ka 9 vjet që pothuajse gjithçka është shembur. Ka qenë një jetë për bukuri, kam pasur një familje, dy fëmijët dhe bashkëshortin. Im shoq më la, unë jam e operuar. U diagnostikova me kancer në gji.E kapa me shumë vonesë, vazhdova ciklet e kimiove, rrezet, dhe duhet të shkoj gjithmonë për kontroll por nuk mundem. Nuk kisha sigurime, merrja një ndihmë sociale aty ku jetoj.
Kjo ndihma sociale sipas rregullave mu ndërpre prej një viti. Në momentin që bëja kimio humba bashkëshortin. Iku në moshën 45 vjeçare, çunin ma la 12 vjeç. Tani dal të siguroj të ardhurat e mia. Dal të punoj që mos ti shtrij dorën askujt dhe mos të shkruaj emrin në një fletore në dyqan” vijon rrëfimin e saj 53-vjeçarja.
“Djali mbaroi shkollën e mesme, një vit të lartën, tani punon në privat. Edhe vajza e arsimuar, në punë. Edhe ajo, dy vjet pas diagnostikimit tim, ka hequr një masë në zorrë. Fatkeqësi. Pas asaj u divorcua, e kam me një fëmijë, me qira” tregon më tej ajo.
Edhe pse gjithçka e ka arritur me mund dhe djersë, ajo e kujton me nostalgji kohën kur ishte e lumtur.
“Burri më ka punuar në polici, polici private dhe policinë e shtetit. Unë kam punuar pastrim hotelesh, çdo punë. 3 vjet kam bërë punën e malit, sherebelin. Atëherë ka qenë lumturia më e madhe, unë isha e pasur sikur flija mbi florinj. U bënë 9 vjet që gjithçka po shembet. Është sikur të ndërtosh një kështjellë të bukur dhe papritur të të shkatërrohet. Pas kësaj ndërtoje por nuk ja vlen më”.
Sëmundja bashkë me dhimbjen fizike, psikologjike dhe pasigurinë për të ardhmen ka dhe një faturë financiare. Ajo thotë se ka gjetur mbështetje te familja e saj por veçanërisht te e ish-bashkëshortit.
“Unë lutem që të kem vetëm fëmijët, të punoj që mos tu bëhem barrë fëmijëve në këtë moshë. Të marr rrugën e Tiranës e di sa kushton, një grua e vetme nuk vjen dot dhe do të marrë dhe një tjetër. Është kohë shumë e vështirë. Familja ime dhe e bashkëshortit kanë qenë heronj që unë jetoj dhe sot. Por sidomos njerëzit e burrit, ata për mua janë lapidar, gjithçka. Të gjitha shpenzimet ata. Nuk kam fjalë”.
Prej një viti nuk merr KEMP nga shteti.
“Më thanë kaq është rregulli, mbushe 9 vjet. Do shkosh në Tiranë te KEMPI epror. U paraqita atje dhe kalova në të gjitha, edhe shtylla kurrizore ka lëvizur”.
Pavarësisht sfidave ajo s’e ka humbur besimin.
“Me gjithë këto që kalova unë jam shumë e fortë, hekur. Kam besimin në Zot, Zoti më hodhi dhe më priti. Për mua thanë një muaj mund ta shtyjë. Me mua ikën shekuj”.
Një mesazh ka dhe për të gjithë ata që për një arsye apo tjetër jeta i ka mbushur me pesimizëm.
“Të mos jenë pesimistë, duhet ti bëjnë ballë jetës. Çaje malin me kokë dhe dil matanë. Mos e shtrij dorën as për një shkrepëse. Dil puno dhe mos e ul kokën. Sëmundja nuk është turp, është fatkeqësi”.