Misteri i një nëndetëseje që po lundron në Gjirin e Sarandës
Në qytet fjala u përhap si era: Një nëndetëse misterioze po lundron prej disa ditësh brenda Gjirit të Sarandës. Të parët e pikasën peshkatarët e varkave të vogla përreth brigjeve. Ajo sa kishte dalë nga gjiri i Marinës po nuk ngjante me imazhin e nëndetëseve ushtarake që është krijuar.
Është e kuqe, e vogël dhe një kapiten i huaj që fliste serbo-kroatisht, qëndronte te kulla e vogël e pilotimit mbi ujë.
Gjatë lundrimit të shkurtër deri sa u ankorua tek një nga molet e reja të ndërtuara në shëtitoren kryesore të qytetit buzë detit, dhjetëra plazhistë u turrën afër saj me jet, varka me motor. Dikush edhe me not. Nga zhezlongët buzë detit dhjetëra aparatë celularë u drejtuan për të rrëmbyer një foto. Diçka e panjohur për ta po lundronte shumë afër, megjithëse ngjante me një nëndetëse.
Në fakt ashtu është, një gjysmë nëndetëse turistike. Pilotohet me kapitenin në bord mbi kuvertë. Por poshtë barku i saj është prej xhami, i ndarë në dritare të mëdha. Prej aty mund të eksplorohet flora dhe fauna e Detit Jon në Gjirin e Sarandës. Gjiri i Sarandës ofron dhe një mister tjetër. Historinë e anijes ushtarake italiane të mbytur gjatë Luftës së Dytë Botërore, e cila është parë nga pak amatorë dhe profesionistë të zhytjes, por të tjerët jo vetëm që nuk e dinë, por askush nuk e njeh historinë e saj.
“Sarandiotët, por besoj gjithë shqiptarët përmes filmit ‘Ballë për Ballë’ i kanë parë nëndetëset. Kanë qenë edhe krenarë për to. Por përveç marinarëve aty askush nuk mund të hipte. Tani kjo nëndetëse gjysmë zhytëse është një mundësi për të gjithë”, thotë Edvini, menaxheri i nëndetëses që e ka emrin “Si Saranda”.
Nëndetësja gjysmë zhytëse është e para dhe e vetmja në Shqipëri. Ka kapacitet deri në 12 udhëtarë përveç kapitenit dhe ndihmësit. Udhëtarët mund të ulen brenda saj gjatë udhëtimit, mund të shikojnë kolonitë e peshqëve, ishullin nënujor dhe gjithë arkitekturën nënujore në Gjirin detar të Sarandës.
Udhëtarët brenda gjysmë nëndetëses
Por produkti pikant dhe shumë tërheqës për udhëtarët është anija e mbytur. Ata përmes xhamave të zhytur nën ujë, mund të zhveshin nga misteri një histori të trishtë nga Lufta e Dytë Botërore në kohën kur Italia fashiste kapitulloi dhe në qytet hynë gjermanët. Mijëra ushtarë italianë u ekzekutuan. Anija e cila kishte ardhur për ndihmë, u bombardua nga avionët. Është një ngjarje pikante për qytetin dhe vetë Italinë, por sot një destinacion turistik, kulturor dhe historik mjaft domethënës.
Një grua duke fotografuar nga dritarja e gjysmë nëndetëses anijen nga Lufta e Dytë Botërore
Është një gjetje e zgjuar që ka zëvendësuar ciceronin klasik dhe e ka kthyer nëndetësen edhe si një muze lundrues.
“Një gjë të vjetër e të fjetur në memorien e largët të qytetit ne e ringjallëm. Jemi shumë krenarë që përmes nëndetëses gjysmë zhytëse arritëm të rilindim dhe t’i shtojmë qytetit një muze të gjallë nënujor”, thotë Edvini.
Udhëtimi zgjat një orë dhe destinacioni i dytë ështe vendi që banorët e Sarandës i thonë “cektina”. Aty thellësia e ujit është e vogël, aq sa nëse kridhesh në det, mund të qëndrosh dhe në këmbë. Nëndetësja kalon përreth ishullit dhe vizitorët kanë mundësi të eksplorojnë nje peizazh nënujor të këndshëm të banuar nga disa lloje peshqish. Më pas udhëtimi përgjatë bregut është i mbushur me kërshëri për botën nënujore.
“Tani – thonë sarandiotët – ne kemi edhe diçka më shumë dhe mjaft speciale për t’u treguar turistëve; jo vetëm shpirtin, mikpritjen dhe investimet, por botën tonë nënujore që ashtu si qyteti është mjaft ndjellëse”.
Menaxheri i nëndetëses Edvini thotë se udhëtimi bëhet edhe gjatë natës. Dritat e forta dhe me ngjyra që ndriçojnë nën ujë mund të rrisin shikueshmërinë deri në 12-13 m thellësi, por edhe më shumë kur deti është i qetë.
Magjisë së udhëtimit me nëndetëse i shtohet edhe kënaqësia e udhëtimit natën në bord në kurorën e dritave shumëngjyrëshe të qytetit.
Udhëtarët brenda gjysmë nëndetëses gjatë mbrëmjes duke vëzhguar koloninë e peshqve
Udhëtarët brenda gjysmë nëndetëses gjatë mbrëmjes duke vëzhguar koloninë e peshqve
Kapiteni i anijes Ademi, një profesionist me shumë vite në kurriz, që ka pilotuar anije të tonazheve të mëdha, thotë se është i lumtur që ndodhet në bash të kësaj gjysmënëndetëseje, jo vetëm për shkak të profesionit por edhe se qyteti i tij ka ditur të evidentohet në turizëm edhe këtë radhë nga qytetet e tjera, duke ofruar një produkt mjaft interesant dhe ekskluziv.
Menaxheri i agjencisë që organizon udhëtimet me nëndetëse thotë se “ideja u erdhi nga një vrarje mendje sesi të rrisnin gamën e atraksioneve turistike që do t’i sillnin më shumë të ardhura biznesit të tyre prej një bote ende të panjohur të qytetit”.
Ndërkohë ky produkt i ri turistik është një shans për më shumë të ardhura edhe për qytetin. Sapo e kanë marrë vesh dhe mjaft pushues nga plazhet më të largëta si Borshi, Ksamili, por dhe Qeparoi e Dhërmiu, kanë telefonuar për të rezervuar udhëtimin. Ata do të shpenzojnë para jo vetëm për lundrimin, por edhe për të marrë shërbime të tjera te bizneset që ka qyteti.
Kapiteni tek kulla e pilotimit
“Ne nuk duam që këtë shërbim turisik ta ofrojmë thjesht si një qëllim në vetvete pasi një biznes turistik nuk ecën dot vetëm, pa pasur pro tij dhe kulturën, historinë, mjedisin dhe vetë banorët”, thotë Edvini.
Nëndetësja është prodhim europian dhe i certifikuar nga të gjitha agjencitë më serioze detare për lundrimin dhe garancitë. Është tërësisht e re, prodhim i këtij viti dhe kapiteni i anijes thotë se është çdo gjë në vendin e vet, me cilësinë dhe perfeksionin e markave të njohura ndërkombëtare.
Ka mjaft pushues që kanë fobi nga zhytja, të tjerë nuk kanë mundësi financiare për të blerë pajisjet dhe të tjerë nuk zotërojnë aftësitë e duhura. Disa të tjerë thjesht me maska deti dhe tub ajri mund të eksplorojnë afër bregut, por nuk shikojnë dot më larg dhe me thellë. Nëndetësja i plotëson njëherazi këto nevoja. Të gjithë pa dallim aftësish dhe mundësish financiare, sot mund të zbulojnë Sarandën e nënujit të zhytur në një nëndetëse.
Qyteti i Sarandës ka rritur mjaft gamën e produkteve. Ka disa anije të mëdha turistike që zhvillojnë ture ditore në plazhet e mrekullueshme dhe të paarritshme nga toka siç janë Krorëza, Kakomeja dhe Rrojdhe e Madhe. Plot skafe të vogla që menaxhohen si biznese familjare udhëtojnë nga qyteti drejt këtyre plazheve.
Një udhëtare duke bërë fotografi në kullën e pilotimit
“Ne ofrojmë udhëtime ditore dhe me restorant të përfshirë brenda anijes ku gatuhet në çast për udhëtarët. Pushuesit e kanë pëlqyer shumë këtë lloj pakete që nuk e ofrojnë anijet e tjera. Kemi krijuar konceptin e një restoranti lundrues por nëndetësja zë vend tjetër. Ajo është muzeu lundrues i qytetit”, shprehet Edvini.
Ai thotë se “kemi menduar diversifikimin e produkteve tona tona në mënyrë që pushuesit me një dorë të marrin disa kënaqësi pa a vrarë mendjen për të organizuar ditën dhe një çmim unifikues me shërbimet dhe produktet që i ndërlidhim me njëri-tjetrin”.
Udhëtarët e anijes së madhe “Si Saranda” janë të privilegjuar edhe për nëndetëse, sikundër edhe ata që udhëtojnë me nëndetëse por duan të provojnë edhe plazhet e largëta me anijen tjetër.
Ky sezon në Sarandë nuk ka nisur ashtu siç shpresohej. Bizneset dhe operatorët turistikë thonë se shifrat janë më të ulëta se vjet. Turistët nuk janë të kamur dhe konsumojnë pak nga të mirat e qytetit. Pikëpyetja e madhe është ende në kokat e tyre për ecurinë e sezonit. Shifrat janë pesimiste. Megjithatë nëndetësja gjysmëzhytëse, një risi e Sarandës dhe e gjithë Shqipërisë, është një gëzim që dëshmon se shpirti sipërmarrës nuk do të shuhet dhe se qyteti i fundit në Jug të vendit do të mbetet sërish një nga më të pëlqyerit për pushuesit.
Edhe kjo, sepse tani Saranda ka nëndetëse dhe muzeun e saj lundrues.