Artistët sarandiot të penelit dhe daltës, sërish në ekspozitë të përbashkët
Ftesës së Bashkisë Sarandë dhe Kryetarit të saj, Adrian Gurma, për ta shprehur edhe artistikisht dashurinë, mirënjohjen dhe nostalgjinë për qytetin që u dha frymëzimin e parë e i rriti artistikisht, 23 piktorë e skulptorë, iu përgjigjën me pjesëmarrjen e tyre në një ekspozitë të përbashkët.
Punët e tyre të frymëzuara janë nga vendet ku ata jetojnë e krijojnë aktualiaht, si: nga Suedia, Anglia, Kanadaja, Greqia, Gjermania dhe firmosen prej emrave që Saranda i ka në memorjen e saj artistike si piktorë apo skulptorë të dekadave të kaluara.
Atyre u janë bashkuar me punët e tyre, krijues sarandiotë që jetojnë e krijojnë në kryeqytetin shqiptar dhe ata që jetën e krijimin e kanë të pashkëputur nga Saranda. Kjo është një prej të veçantave të ekspozitës së tyre të përbashkët, titulluar “Rrugëtime”.
Ajo u çel këto ditë në Galerinë “Art-Saranda”, duke bërë që sallat e saj të zenë vend 49 punë. Në pikturë erdhën peizazhe, portete e kompozime, në teknikën e vajit, pastel, akrilik. Ndërsa në skulpturë: erdhën portrete, relieve e kompozime, të punuara nç material bronz, mermer, allçi e beton.
Veçoria tjetër është se pjesëmarrës në ekspozitën “Rrugëtime” janë autorë të mirënjohur e të afirmuar, studentë në shkolla artistike, si edhe autorë autodidaktë. Çdo punë debutuese është si një dedikim shpirtëror e artistik i artistëve për qytetin e zemrës, Sarandën.
Kjo është ekspozita e dytë me këtë pjesëmarrje e me këtë dedikim. Ata janë sërish bashkë, në vitin e 10-të të jetës së Galerisë “Art-Saranda”.
Ekspozita “Rrugëtime” do të jetë e hapur, për t’u vizituar nga publiku vendas dhe nga turistët, deri më 2 korrik 2022.