Ndryshon rrënjësisht rruga turistike drejt Syrit të Kaltër
Syri i Kaltër në Sarandë, një prej destinacioneve turistike më të bukura në jug të vendit, që çdo vit tërheq me mijëra turistë vendas e të huaj, ka tashmë një infrastrukturë të re rrugore sipas standardeve më të mira.
Kryeministri Edi Rama ndau sot përmes rrjeteve sociale, pamje nga rruga e re e cila është rehabilituar plotësisht.
“Mirëmëngjes dhe me infrastrukturën e re për këmbësorë e çiklistë që ka ndryshuar rrënjësisht rrugën turistike drejt Syrit të Kaltër, të cilit tashmë ia kemi zgjeruar zonën e mbrojtur, me statusin e Parkut Natyror prej 290 hektarë, ju uroj një fundjavë të mbarë”, tha Rama.
Përveç korsisë së makinave, rruga e re përfshin korsi biçikletash dhe këmbësorësh, si dhe shtigje turistike.
Syri i Kaltër i konsideruar si një parajsë natyrore në zemër të Shqipërisë, si dhe perlë të turizmit veror gjendet pranë fshatit Muzinë, pranë Rrugës nacionale Delvinë-Gjirokastër, rreth 30 minuta larg nga Saranda. Brenda zonës së mbrojtur përfshihen sipërfaqe ujore, sipërfaqe pyjore, livadhe dhe toka bujqësore.
Nga pikëpamja mjedisore e shkencore, me harmonizimin midis pyllit të dendur dhe gjelbërimit gjithëvjetor, burimeve ujore të Syrit të Kaltër me ujërat e kthjellëta dhe të ftohta, ky park nga pikëpamje turistike dhe ekologjike paraqet rëndësi të veçantë kombëtare.