Balluku: Në 2 korrik dorëzojmë tunelin e Skërficës, 3 muaj para afatit
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku iu përgjigj dje nga foltorja e Kuvendit, deklaratave të opozitës, që sipas saj, anatemon çdo vepër infrastrukturore kur ajo është gati për dorëzim.
Balluku tha se rruga Kardhiq-Delvinë, së cilës iu referuan deputetët e opozitës, është një nga veprat më të rëndësishme jo vetëm sa i përket infrastrukturës, por edhe turizmit, pasi lidh dy zona të rëndësishme, Gjirokastrën me bregdetin e jugut dhe Sarandën.
“Loti i parë i Kardhiq-Delvinë ka nisur në dhjetor 2007. Nga dhjetori 2007 deri në shtator 2013 nuk e di se çfarë keni bërë ju që nuk e dorëzuat, por u desh të pritej të dorëzohej nga PS. Gjithashtu edhe loti i dytë ka nisur në dhjetor 2007, por e kemi përfunduar ne, sepse juve nuk ju dolën 6 vite për ta mbaruar. Kështu vazhdon me radhë edhe loti i tretë që e filluat 1 vit më vonë, në 2008, por e përfunduam ne. Ndërkohë që lotet që ne kemi hapur janë dorëzuar brenda afatit. Hapëm në 2008 lotet 4, 5 dhe 6 dhe i dorëzuam në vitin 2021. Këto janë vite që flasin. Ne morëm punët tuaja të lëna rrugëve dhe i përfunduam në kohë rekord, madje hapëm edhe punët tona dhe i mbaruam ashtu si duhej për 3 vite”, tha ajo.
Balluku theksoi se “tani do të dorëzohet edhe tuneli i Skërficës, 3 muaj para afatit.
“Afati i dorëzimit të tunelit të Skërficës është fundi i shtatorit 2022 dhe dorëzohet në 2 korrik 2022. Ne jo vetëm dimë t’i dorëzojmë, por edhe i bëjmë para afatit, sepse e dimë shumë mirë se infrastruktura është nxitësi kryesor i ekonomisë, sidomos i turizmit”, shtoi ministrja.