Rriten çmimet e pronave në bregdet: Sa mund të blihet një apartament në Sarandë
Kërkesa e lartë nga shtetas të huaj ka rritur 40-60% çmimet e apartamenteve ekzistuese nga Shkëmbi i Kavajës, Lungomare e deri në Sarandë brenda vitit.
Në resortet e reja që po ndërtohen në Rivierë, çmimet e apartamenteve nisin nga 2,000 deri në 4,500 euro/m². Këtë vit janë shtrenjtuar edhe çmimet e vilave në bregdet.
Vilat elitare me pamje nga deti po shiten 1,2 mln euro nga 1 mln euro që ishte çmimi i tyre në vitin 2021. Në resortet e Jugut, pronat po blihen më shumë nga shqiptarët, për të investuar në qiradhënie apo rishitjen e tyre te të huajt, për shkak të rritjes së çmimeve nga viti në vit.
Apartamentet e reja në bregdet, këtë vit, po shiten mbi 900 euro/m². Agjencitë imobiliare pohojnë se çmimet në ndërtimet e reja janë shtrenjtuar në vendet si: Durrës, Qerret, Sarandë dhe Vlorë.
Çmime të larta këtë vit kanë edhe edhe apartamentet në ndërtime 2-3-katëshe ende të papërfunduara të resorteve kryesore. Në resortin turistik të “Kep Mërlit” në Ksamil, çmimet e apartamenteve kanë arritur 4,500 euro/m².
Në Sarandë, çmimet e pronave VIP, për shkak të pozicionit dhe sipërfaqeve të mëdha me pamje nga deti edhe këtë vit po shiten me çmime 3,000 deri në 3,500 euro/m² sipas Eron Çumanit, drejtues i agjencisë imobiliare “Investment Property Sarandë”. Çumani thotë se këtë vit, në këtë qytet, pronat stok të ndërtuara para 5 apo 10 vitesh po shiten 30-40% më shumë.
“Rritja e çmimeve për këto prona është abuzive, pasi investimi për këto ndërtime ka përfunduar. Janë prona të mbetura stok, ku pronarët kanë përfituar nga vala e rritjes së çmimeve dhe kërkesës. Në zona ku çmimi vjet varionte 700 deri në 800 euro/m², këtë vit ka arritur 1,000 deri në 1,200/m² në apartamente të ndërtuara para 5 vitesh”.
Në Sarandë, këtë vit, ashtu si edhe në zonat e tjera bregdetare, çmimet e apartamenteve të reja arrijnë deri në 1,700 euro/m² nga 1,200 euro/m² vjet (rritja 41%). “Janë rritur standardet dhe cilësia e projekteve dhe kjo është shoqëruar me rritje ekstreme të çmimeve.
Çmimet e apartamenteve të reja që janë në ndërtim e sipër, ose kanë përfunduar në periudhën 2021-2022, janë nga 1,200 deri në 1,700 euro/m². Ndërsa në zonën afër plazhit, çmimet variojnë 3,000 deri në 3,500 euro/m². Këto çmime nuk janë masive, kryesisht prona në vijën e parë me verandë të madhe”, pohon z. Çumani.
Drejtuesi i agjencisë “Investment Property Sarandë” thotë se pavarësisht çmimeve të shtrenjta, kërkesa për apartamente është e lartë. Në Sarandë, kërkesa për blerje apartamentesh mbizotërohet nga shtetasit e huaj, kryesisht çekë dhe polakë.
“Kërkesa këtë vit është e lartë, por ashtu siç ndodhi edhe vitin e kaluar, jo të gjitha transaksionet përfundojnë, pasi të huajt zhgënjehen nga çmimet që ndryshojnë çdo vit. Prona në Sarandë po blejnë më tepër shtetas nga Gjermania, Polonia, Holanda.
Sivjet parashikojmë të kemi qasje edhe të nordikëve, pasi rihapjes së linjës ajrore të Korfuzit që qëndroi e pezulluar 3 vjet. Të huajt i blejnë apartamentet kryesisht për shtëpi pushimi, pasi këta shtetas janë kultivuar për të orientuar të ardhurat në pasuri të paluajtshme.
Kanë zgjedhur Shqipërinë, pasi çmimet janë më të lira se në shtetet ku ata jetojnë. Po ashtu është rritur numri i shtetasve të huaj që blen shtëpi në Sarandë për ta rishitur pas 5 vitesh, kur arrin mbi 50% e vlerës fillestare. Rreth 90% e kërkesës është nga shtetas të huaj. Ndërsa 5-10% të kërkesës e zënë shqiptarë nga Kosova, të Maqedonisë së Veriut, diasporës, por për prona me buxhete të ulëta. Deri tani, kësaj kategorie iu është përshtatur më shumë Durrësi dhe pak Vlora”.
Në anën tjetër, kërkesa për apartamente në Sarandë nga Tirana nga vit në vit është me rënie, ndërsa banorët e Sarandës vijojnë të mos kenë mundësi ekonomike për të blerë shtëpi edhe në pallatet e ndërtuara para viteve ’90.
“Nga rrethet, kërkesa është me rënie, pasi e kanë zgjidhur vite më parë blerjen e një shtëpie në bregdet. Ndërsa nga vendasit nuk ka kërkesa, pasi pagat nuk arrijnë të përballojnë blerjen e një shtëpie.
Banka i krediton me buxhet nga 3 mln deri 5 mln lekë. Për këtë arsye ky target orientohet më tepër drejt shtëpive të ndërtuara para viteve ‘90, që janë shumë të limituara. Këto ndërtime janë stok i lirë, pasi shumë prej tyre janë në konflikte të pazgjidhura pronësie. Kjo mbart riskun e pronës dhe ul çmimin”, pohon z. Çumani.
Edhe ukrainasit zgjedhin Sarandën
Shumë shtetas ukrainas, për shkak të luftës që ka arritur në ditën e 70-të, janë larguar nga vendi i tyre. Disa prej tyre, që kanë pasur familjarë apo miq që kishin blerë apartamente në Jug të vendit, për shkak të luftës janë shtyrë të investojnë për një shtëpi në bregdet që do ta përdorin për banim.
“Problemi në Ukrainë parashikohet të jetë afatgjatë, për këtë arsye shumë shtetas ukrainas që janë larguar, po blejnë apartamente në Sarandë dhe Vlorë. Kryesisht janë familje që kanë blerë më parë, të cilët kanë sjellë edhe familjarë të tjerë për të banuar në Shqipëri.
Blerja e një prone me certifikatë pronësie gjithashtu iu mundëson atyre marrjen e lejes afatgjatë. Nuk po blejnë prona Vip, por apartamente me çmime 600, 800 deri në 1,000 euro/m²”, thotë Eron Çumani nga “Investment Property Sarandë”. Kërkesa për prona nga shtetas ukrainas po shënon rritje edhe në Durrës.