Tryeza e organizuar nga Adrian Gurma: Diskutim për një sezon pa zjarre dhe kanabis
Ndërkohë që afron sezoni veror, pjesë e përgatitjeve për mbarëvajtjen e tij, janë edhe masat për të mos patur zjarre dhe as kultivim të kanabisit.
Me këtë synim, Kryetari i Bashkisë së Sarandës Adrian Gurma thirri një tryezë me të gjithë aktorët, të cilët ligji i ngarkon me përgjegjësi në këto drejtime.
Kreu i Bashkisë Gurma kërkoi rritje të bashkëpunimit ndërinstitucional nga Bashkia deri te kryetarët e fshatrave për ta patur territorin në kontroll dhe për të bërë secili detyrën që i takon.
Nënprefekti Mirosh Birjani iu referua eksperiencës së mirë të viteve të fundit, e cila u kërkua të vihet në shërbim të përballimit të sfidave që qëndrojnë përpara për një verë pa zjarre dhe pa kanabis.
Shefi i Komisariatit të Policisë së Rendit Klodian Kondi, tha se toleranca e policisë për shkaktarët e zjarreve dhe kultivuesit e kanabisit do të jetë zero.
Me shqetësim dge angazhim diskutuan edhe drejtues të MZSH e të Emergjencave Civile, të Zonave të Mbrojtura, si dhe kryetarë të fshatrave e blegtorë të pranishëm në tryezë.
Diskutimi u ndal në forcimin e masave dhe në ndërgjegjësimin më të mirë për sfidat që qëndrojnë përpara të gjithëve, parandalimin e mbrojtjen nga zjarri, si dhe në luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.
Theksi u vu në nevojën për bashkëpunim, bashkërendim dhe koordinim të veprimeve, si kusht për përballimin e çdo situate.