Rama: Bajpasi i Vlorës hapet përfundimisht në këtë sezon turistik
Bajpasi i Vlorës do të jetë plotësisht i përfunduar dhe i hapur për qarkullimin e automjeteve me fillimin e sezonit turistik të këtij viti.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot pamje nga kantieri i ndërtimit të këtij bajpasi, ku po punohet 24 orë pa ndërprerje për përfundimin e plotë të kësaj vepre.
“Mirëmëngjes dhe me bajpasin e Vlorës që do të hapet përfundimisht në këtë sezon turistik, si një segment i rëndësishëm për qarkullimin gjatë verës sidomos, po edhe si një tjetër skenë spektakli natyror, ju uroj një ditë të mbarë”, shprehet Rama.
Bajpasi i Vlorës lidh autostradën Levan-Vlorë me rrugën nacionale bregdetare Vlorë-Sarandë, pjesa jugore e Vlorës. Gjatësia e këtij aksi është 29 km dhe fillon që nga rrethrrotullimi në fund të autostradës Levan-Vlorë. Pjerrësia për 6 km e para është mjaft e ulët.
Rruga anashkalon Kaninën në pjesën perëndimore mbi Vlorë, në një nivel rreth 300 m nën kështjellë, nga ku ofron pamje spektakolare përgjatë gjirit të Vlorës.
Bajpasi i Vlorës, do të ndihmojë në përmirësimin e integrimit rajonal, lehtësimin e tregtisë, mbështetjen e zhvillimit të turizmit në pjesën jugore të Shqipërisë, si dhe përmirësimin e kushteve të transportit rrugor në zonën e Vlorës.