Rruga Lëkurës-Kanali i Çukës, unaza panoramike e Sarandës gati në sezonin turistik
Në qytetin e Sarandës është drejt përfundimit puna për asfaltimin e rrugës nr. 1 Lëkurës – Kanali i Çukës.
Kryetari i bashkisë së Sarandës, Ardian Gurma, tha se, “ekipi i punëtorëve po vazhdon me ritme të larta punimet për asfaltimin e rrugës në të gjithë gjatësinë e saj, me qëllim që ajo të jetë gati për këtë sezon turistik”.
Rruga është e gjatë 2.33 km, e gjerë 11 m, gjerësi të brezit të kalimit të automjeteve 8 m dhe ka trotuare në të dy anët e saj me të gjithë elementët e tjerë të nevojshëm të infrastrukturës rrugore.
Sipas tij, do të jetë një unazë panoramike e Sarandës, që lehtëson ndjeshëm fluksin e lëvizjes urbane kryesisht gjatë sezonit turistik, por që jep në të njëjtën kohë tjetër qasje, koncept e zhvillim për zonën ku ajo kalon.
Saranda është një nga qytetet më të frekuentuara gjatë sezonit turistik. Përmirësimi i infrastrukturës rrugore në qytetin bregdetar do të lehtësojë lëvizjen e turistëve vendas e të huaj.