Adrian Gurma takohet me bizneset e Sarandës: Gati për një sezon të mbarë turistik
Pas Ksamilit, Bashkia e Sarandës dhe Kryetari i saj Adrian Gurma, ka bërë pjesë të bashkëbisedimit për përgatitjet e fundit për sezonin, biznesin turistik të qytetit të Sarandës. Përgjegjësia dhe detyrimet për këto përgatitje, janë parë të pandara, por si partnerë dhe bashkërealizues të destinacionit turistik. Zotëruese ishte bindja se pritet një sezon turistik i mbarë, por lidhur ngushtë me këtë, theksi u vu në përmirësimet e mundshme në javët e mbetura.
Vëmendja e parë është te sistemimi i stacioneve të plazhit, për të cilat u vlerësua pozitivisht aplikimi dhe kryerja e punimeve pa u penguar, pas marrjes së autorizimit përkatës nga Bashkia.
Kryetari Adrian Gurma ka ftuar bizneset turistike të Sarandës të kujdesen po aq sa për përgatitjen e strukturave pritëse edhe për t’iu përgjigjur me korrektesë rregullit të ri që do të ndiqet për tërheqjen e mbetjeve në fasha të caktuara orare.
Po ashtu, tregoi për investimet në infrastrukturë që ky sezon do t’i gjejë funksionale, që nga rruga Kardhiq-Delvinë, te bypasi i rrugës poshtë Lëkurësit etj.
Ai ftoi që Bashkia dhe biznesi të bëhen bashkë në promocionin e destinacionit Saranda në mediat kombëtare, të bashkëorganizojnë “Ditën e Sarandës” në Prishtinë dhe të jenë të gjithë të përfshirë në veprimtaritë komplekse që po programohen për çeljen zyrtare të sezonit “Verë 2022”. Kryetari Gurma siguroi se sërish do të ketë një akt zyrtar administrativ për ndalimin e aktiviteteve të ndërtimit në sezon.
Njëherësh, u kërkua që nga biznesi i anijeve turistike dhe nga lokalet e bregut në tërësi, të mos prodhohet ndotje akustike.
Edhe me bizneset e Sarandës, Kryetari Gurma përsëriti apelin për të mos i lejuar vetes spekullim me çmimet, pasi qoftë edhe një rast sporadik, bëhet shkak për imazh të keq për Sarandën.
Operatorët që e morën fjalën në takim vlerësuan klimën e partneritetit të ofruar nga Bashkia dhe treguan për përgatitjet më të mira e më në kohë wë janë bërë në prag të këtij sezoni.
Ndërkaq, ata sugjeruan bashkëveprim më të mirë për zgjidhje më të shpejta që kërkohen për të lehtësuar mobilitetin dhe qarkullimin e autobusave, taksive dhe automjeteve të tjera për hyrje-dalje në qytet, sidomos në aksin Hotel “Butrinti”-Kanali i Çukës dhe kur ka pengesa, të funksionojë më mirë informimi rreth tyre.
U kërkua që të zgjatet në sezon fasha orare e shërbimit të autobusave në linjën Sarandë-Ksamil, të ofrohet furnizim më i mirë me ujë të pijshëm dhe ndriçim më i mirë publik në çdo lagje të qytetit.
Po kështu, u takuan në mendimin që të mos vazhdohet më me ndotje akustike, pasi kështu pengojmë njeri-tjetrin.
Nga të gjithë u shpreh gatishmëri që biznesi turistik sarandiot të bëhet kontributor për të promovuar fuqishëm destonacionin Saranda në mediat më të mëdha shqiptare.