‘Po gllabërojnë Sheshin e Flamurit ‘, Rama i përgjigjet Bujar Leskajt: Projekti do i japë Vlorës një përmasë të re
Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur deputetit Bujar Leskaj, i cili akuzoi se Sheshi i Flamurit në Vlorë po ‘gllabërohet’ për të ndërtuar terminal autobusësh.
Me një postim në Twitter, Rama ironizon, teksa shkruan se “Foltorexhinjve u duket kolonata si stacion autobusësh”. Për Ramën, po Sheshi i Flamurit do të jetë “një tjetër spektakël urban në Vlorën e Rilindur”.
“Më thonë qenkan revoltuar foltorexhinjtë e Vlorës se dashkan transparencë për projektin e Sheshit të Flamurit! U duket kolonata si stacion autobuzësh e duan shembjen e hotelit të tyre fantazëm, që arkitekti i famshëm belg e kthen në qendrën më të madhe social-kulturore të vendit!
Nuk u ve faj se as nuk dinë as nuk bëjnë dot gjë tjetër përveç përshesheve me baltë, po Sheshi i Flamurit do të jetë një tjetër spektakël urban në Vlorën e Rilindur, që mezi pres ta shoh të realizuar megjithë qendrën social-kulturore, e cila do t’i japë Vlorës një përmasë të re!”, shkruan Rama.
Ditën e djeshme, Leskaj shkroi në Facebook se gjysma e ‘Sheshit të Flamurit’ po ‘gllabërohet nga sekti Rama’.
“Gllabërimi i Sheshit të Flamurit nga sekti Rama. Ju (qeveria) jeni identifikuar dhe vazhdoni si qeveri fasadash. Si qeveri që paranë publike po e përdorni jo në përputhje me parimet e efiçencës, efektivitetit dhe ekonomicitetit të mirë. Shembulli më i keq, shembulli më flagrant ku ju i keni shpenzuar këto para për fasada dhe për politika të mbrapshta është në Vlorë, ku të paktën tre sheshe: Sheshi i Skelës në të cilën ndodhej përmendorja e Atit të Kombit, Ismail Qemal Vlorës, sheshi i Flamurit që është shesh unik, shesh historik i kombit shqiptar dhe sheshi përpara bashkisë nga shpenzimet tuaja të panevojshme në vlerën rreth 15 milionë euro, rezultojnë sheshe ku qytetarët shqiptarë veç asaj urrejtjes suaj, urrejtjes së kryetarit të sektit ndaj Historisë, ndaj Ismail Qemalit, mund të shikojnë edhe se si keqpërdoren paratë shqiptare
. Për më tepër, për më keq dhe, për këtë ju ftoj të gjithë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, të majtë e të djathtë, të vini në Vlorë, të vizitoni Vlorën, të shikoni Sheshin e Flamurit si po gllabërohet gjysma e këtij Sheshi historik nga sekti Rama. Përse? Për të ndërtuar një terminal autobusësh!”, shkroi ai.