Plan Kombëtar, e diela e parë e çdo muaji “Ditë pa makina” në çdo qark
Nga data 3 prill, e diela e parë e çdo muaji do të jetë si fillim “Ditë pa makina” në qytetet kryesore të çdo qarku.
“Nëse s’e fikim dot automjetin gjatë gjithë kohës, të paktën ta bëjmë ditëve të pushimit dhe të përdorim biçikletën a ecjen në këmbë”, tha Kryeministri Edi Rama.
Rama tha se “fillojmë menjëherë në koordinim me bashkitë këtë plan kombëtar për kursim, për mjedisin dhe për shëndetin e të gjithëve”.
Ndërkohë, përmes një komunikimi publik ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro njoftoi hartimin e një plani kombëtar të ditëve pa makina, që do të shtrihet në qytetet kryesore të çdo qarku.
Kumbaro tha se në kushtet e një krize energjetike dhe karburanti, por edhe si përgjigje ndaj angazhimeve mjedisore të Shqipërisë, është një nismë e parë për të reduktuar lëvizjen me makina në ditët e pushimit.
“Krizën energjetike, si një kronikë të paralajmëruar jo shumë kohë më parë, fatkeqësisht po e ndjejmë pa dallim. Ngjarjet e fundit kanë vënë në vështirësi të gjitha ekonomitë globale dhe xhepat e çdo familjeje, sigurisht që pasojat po ndihen edhe në vendin tonë. Reagimi ka qenë i shpejtë, ku qeveria me ngritjen e Bordit të Transparencës po luan rolin vendimtar në shmangien e abuzimit me çmimin e karburanteve dhe të produkteve të shportës, me qëllim mbrojtjen e çdo qytetari. Angazhim ky që do të vazhdojë pa reshtur, por nga ana tjetër sa i takon krizës së karburanteve kërkon mirëkuptimin e tonë në reduktimin e lëvizjeve me automjete sa më shumë të kemi mundësi. Dhe nëse s’mund ta shmangim ndezjen e makinës çdo ditë, të paktën ta fillojmë nga ditët e pushimit. Prandaj e nisim planin e Ditës pa Makina nga e diela e parë e çdo muaji, duke filluar prej datës 3 prill”, tha Kumbaro.
Duke folur për nismat e qeverisë për monitorimin e çmimeve, Kumbaro ftoi qytetarët që t’i bashkohen kësaj lëvizjeje për të kontribuar në kursimin e karburantit, për një mjedis më të pastër dhe për më shumë aktivitete dedikuar fëmijëve.
Ministrja njoftoi se puna ka nisur nga dita e sotme në koordinim me prefektët dhe me kryetarët e bashkive.
“Sot Udhëzimi i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për organizimin e Ditës pa Makina në koordinim me institucionet e tjera dhe në përputhje me të gjitha ligjet dhe parimet e Kodit Rrugor, u është shpërndarë prefektëve dhe kryetarëve të bashkive, në mënyrë që të jemi në kohë për një organizim sa më të mirë. Ftoj secilin prej jush që në qytetet tuaja të bëheni partnerë të kësaj nisme: për kursim, për mjedis më të pastër, për shëndet”, u shpreh Kumbaro.
Ministrja solli në vëmendje edhe angazhimet e Shqipërisë në Konferencën e Klimës në Glasgou në muajin nëntor për uljen e ndjeshme të emetimeve deri në vitin 2030 dhe për të arritur nivelin neto zero të emetimeve në vitin 2050.
“Janë angazhime konkrete që përmirësojnë jetën tonë këtu, për t’u lënë fëmijëve një qytet më të pastër, një mjedis prej të cilit mos të na vijë turp që nuk arritëm t’ua lëmë trashëgim më të mirë nga ç’e gjetëm ne”, tha Kumbaro.