U-14, që po rilind basketbollin në Sarandë
Një tjetër sport po rilind në Sarandë. Ky është basketbolli, që ka përfshirë mosha fëminore dhe adoleshentët.
Si një sipërmarrje private në këtë fushë, është krijuar Shoqata “Saranda”, e cila ka sjellë si produkt ekipe U-14 të djemve dhe vajzave basketbolliste, që prezantohen me fanelën “Butrinti”.
Testi më i i ri i ekipit të djemve ishte kompeticioni në Durrës, në kampionatin e U-14, ku morrën pjesë Galaktikët e Tiranës, Goga Basket Durrës, Elbasani dhe Saranda. Kampione u shpall pikërisht fanela e “Butrintit”.
Për këtë sipërmarrje dhe këtë rezultat në ringritjen e sportit të basketbollit, fëmijët basketbollistë dhe trajnerët Bruno Hajno e Pajtim Seferi jane pritur para pak ditesh nga Kryebashkiaku Adrian Gurma.
Ai ka vlerësuar angazhimin e tyre duke zhvilluar prirjen sportive të fëmijëve e duke i bërë ata të rriten shëndetshlm dhe larg nga rruga e nga vesi.
Gjithashtu kreu i Bashkisë u kërkoi atyre të paraqesin kërkesat e tyre, për të parë mundësinë për mbështetje më të mirë me materiale sportive të nevojshme, si: uniforma, topa etj.
“Po bëjmë çdo përpjekje për të marrë rrugë projekti ynë që Kompleksi Sportiv “Aleko Dajko” të mbulohet e të kthehet në një Pallat Sporti, në dispozicion edhe të basketbollistëve të rinj”, u tha atyre Kryebashkiaku Adrian Gurma.
Ai u dorëzoi atyre një Çertifikatë Mirënjohjeje ekipore. Trajnerët kanë falenderuar për vlerësimin, duke u shprehur se është i pari Kryetar Bashkie që tregon interes për këto ekipe, i fton e përgëzon dhe mbështet realisht.