Nis gjykimi për ish-prokurorin e Sarandës, Sali Hasa
Ish-prokurori i Sarandës Sali Hasa është marrë zyrtarisht i pandehur dhe për të do të nisë procesi gjyqësor. Gjykata e posaçme ka vendosur të pranojë kërkesën e prokurorisë dhe të kalojë dosjen për gjykim.
Po ashtu togat e zeza kanë pranuar kërkesën e të dyshuarve për t’u gjykuar me procedurën e gjykimit të shkurtuar, çka do të thotë se do të ulet 1/3 e dënimit përfundimtar. Hasa u arrestua nga SPAK pasi dyshohet për korrupsion.
Ai akuzohet se i mori një shumë parash shtetases Elsiona Papa, për ti pushuar dosjen vëllait të saj Emiljan Mirjanit, pasi akuzohej dhe ishte vënë nën hetim për plagosje. Referuar dosjes së prokurorisë, Papa është fotografuar në zyrën e prokurorit së bashku me Edison Korkutin, i cili u plagos nga vëllai i saj.
Sipas hetimeve ajo ka ndikuar tek Sali Hasa për të pushuar hetimet për vëllain e saj që akuzohej për plagosje me dashje dhe mbajtje të armëve te ftohta. Gjatë kontollit të banesës së ish-prokurorit janë sekuestruar 11 milionë Lekë të vjetra dhe 2 mijë Euro.
Hasa është marrë i pandehur së bashku me oficerin e Policisë Gjyqësore Napolon Hodaj, arbitrin e ndeshjeve të futbollit Qerim Ruçi, zyrtar i klubit sportiv SHS Përmeti, Bledar Hajredini, si dhe Julian Zera e Emiljano Mirani, që dyshohen për “Ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Këta persona u zbuluan në bazë të një tjetër procedimi penal që kishte prokuroria e posaçme për një grup kriminal që dyshohet se merrej me trafikimin e lëndëve narkotike.