Rama tallet me deputeten e Sarandës Ina Zhupën: Ku ishe moj, në hënë ishe deri tani?! I shërben “vulëhumburit”
Kryeministri Edi Rama ka refuzuar t’u përgjigjet pyetjeve të deputetes demokrate Ina Zhupa në Komisionin Hetimor për Inceneratorët. Rama iu drejtua asaj që nuk mund të bëjë pyetje duke përmendur akuza ndërsa tha se ajo do bëjë karrierë në Partinë Demokratike derisa ajo të drejtohet nga kryetari “vulëhumbur”.
Pjesë nga debati
Edi Rama: Zonja Zhupa e humbët mundësinë të komunikoni me mua. Kaq kisha me ju. E humbët që të keni nderin që unë të përgjigjem.
Ina Zhupa: Nëse ju besoni që një kryeministër nuk ka asnjë përgjegjësi i bie që asnjë kryeministër të mos akuzohet për korrupsion. Kryeministri nuk firmos vendim personal.
Edi Rama: Zonja Zhupa e humbët mundësinë që të keni nderin që unë të komunikoj me ju.
Ina Zhupa: A keni marrë ndonjë vendimmarrje pasi është arrestuar zoti Koka se çfarë po bëhet me koncesionet
Edi Rama: Ju do bëni karrierë në partinë ku jeni pasi nuk keni asnjë lidhje me turpin kur formuloni recitimet tuaja. Duhet të kesh humbur…
Jorida Tabaku: Nuk më duket normale të flasësh ashtu me një deputete. Nuk më duket normale zoti Rama
Edi Rama: Mua jo nuk më duket normale. Por mua më duket e neveritshme që pas gjithë kësaj maratone dhe atyre debateve që bëmë bashkë. Ju jeni kryetare komisioni. Tani në fund fare kjo bën një recitim sikur është në një botë tjetër. Kjo është të kesh shkulur spinën me turpin. Ju do bëni karrierë sepse aty sa më shumë të recitosh nën shembullin e atij kryetarit vulëhumbur. Këtë karrierë do e bësh derisa të kesh atë kryetar
Jorida Tabaku: Zoti Rama ju tërheq vëmendjen sepse nuk mund t’i flasësh ashtu një deputeteje të Kuvendit të Shqipërisë.
Edi Rama: Pikërisht se është vajzë duhet të përmbahet shumë herë më tepër. Ku ishe moj, në hënë ishe deri tani. T’u përgjigja disa herë, por e ndryshova përgjigjen kur bëre prapë një akuzë pa pikë turpi. Po ku je ti këtu. Ka njerëz këtu që na ndjekin. Nuk mundesh ti të ngresh gishtin.