Përderisa kosovarët rezultojnë turistët më të spikatur në Sarandë
Nga Thoma Nika
SOT…Jo vetëm që është e Martë, por është edhe një Datë e shprehur në një kombinim numrash, që ndodh shumë rrallë. Ka vetëm 22-sha dhe zero data e sotme. Dhe më e veçanta është se janë tre çifte 22-shash, të ndërprera nga dy zero, që thuhet se bën vaki një herë në 100 vjet. Sa mirë do të ishte që kjo datë kaq e veçantë të ishte e veçantë edhe si ditë. Por kjo mbetet për t’u parë.
Me këtë alternim të përsosur numrash, kemi nisur një javë të re, ta themi e fundit për shkurtin, me kohë të paqëndrueshme, ku dielli bën rrokadë me një vesë shiu. E rëndësishme është që temperaturat nuk janë ulur dhe gjatë ditës pritet të rriten e pse jo, edhe dielli të mos na mungojë.
Ndërsa të veçantat e Sarandës lidhen me turizmin që presim. Çdo javë e re që vjen shton diçka në përgatithet për sezonin që kemi përpara. E reja e këtyre ditëve është se nisma për mjedis të pastër është ndalur në tre ishujt e Ksamilit. Siç është e kuptueshme, as ata nuk i kanë shpëtuar mbushjes nga mbetje urbane, të hedhura dhe të mbetura prej kohësh atje. Prandaj edhe tre ishujt janë përfshirë nga puna e punonjësve të Bashkisë për pastrimin e tyre.
Nga kjo punë e kryer vjen siguria se në sezonin e ri turistik, frekuentuesit e plazheve dhe të ishujve do të gjejnë mjedis të pastër. Ndërkohë që kërkohet edhe që t’i lenë të pastër, për të mos vazhduar me praktikën që plazhisti ndot dhe pastruesit pastrojnë mbetjet nga konsumi i ushqimeve apo pijeve në ishuj, pasi plazh e turizëm me plehra nuk mund të ketë.
Ndërkaq, në Sarandë është realizuar pastrimi i detit, me ndryshimin se nuk ka qenë pastrim nga hedhurinat, por nga një platformë, që projektohej të përdorej si bar lundrues, në hapësirën pranë njerit prej plazheve publikë. Inspektoriati Vendor i Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë e Sarandës, i mbështetur edhe Policia Bashkiake, kanë përdorur skrepin për prishjen e asaj platforme, e cila do të shërbente për vendosjen e një lokali në ujë, i cili nuk u lejua dhe subjekti që kishte guxuar ta bënte këtë, pa disponuar asnjë leje, është shoqëeuar dhe mbajtur në komisariatin e policisë për disa orë, ndërkohë që deti është pastruar nga platforma e lëshuar në ujë.
Në tërësinë e përgatitjeve që bëhen për sezonin e ri veror, është hedhur hapi i parë për turizëm të integruar. Kjo është zyrtarizuar të premten e kaluar, me nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit, në mjediset e Bashkisë së Finiqit. mes kësaj bashkie dhe asaj të Sarandës, që dihet se ka profil të qartë turistik dhe kapacitete e eksperiencë menaxheriale në turizëm.
Qëllimi i Memorandumit është që mes Finiqit dhe Sarandës të japet një model i ofertës së përbashkët për turizëm. Titullarët Kristo Kiço e Adrian Gurma, pas nënshkrimit të Memorandumit, iu përgjigjën interesit të gazetarëve për mënyrën e se si do të funksionojë bashkëpunimi mes tyre, për fazat nëpër të cilat do të ecë ai, për hapësirën që kanë bizneset në këtë proces, për përfshirjen në bashkëpunim edhe të Bashkive të tjera jugore fqinje, brenda e jashtë vendit etj.
Nënshkrimi i Memorandumit u pasua nga veprimtari në terren, siç ishte guida në Parkun Kombëtar Arkeologjik të Finiqit.
Ndërkaq, Saranda ka drejtuar vëmendjen nga turisti kosovar edhe për verën që presim, pasi edhe nga analizat e bëra për dy sezonet e vështira të viteve të fundit, kosovarët kanë rezultuar turistët më të spikatur e më besnikë të Sarandës. Kjo ka rezultuar si në rritjen numerike nga viti në vit, pavarësisht pandemisë, e deri në trendin shumë të lexueshëm për të blerë banesa në Sarandë e Ksamil.
Në Bashkinë e Sarandës janë të gjitha pritshmëritë për të arritur një bum të vërtetë këtë verë, nga të gjitha viset shqiptare e kryesisht nga Kosova. Dhe këtë e lidhin me gjasat për tejkalim të situatës së pandemisë, por sidomos se Saranda ofron shumë më tepër se vitet e tjera.
Janë të dukshme përgatitjet në kohë, që janë bërë e bëhen, për një situatë krejt tjetër për mjedis të pastër këtë vit. Si një nga pikat e forta, janë investimet e bëra në infrastrukturën turistike, në krye të të cilave qëndron investimi për rrugën e Kardhiqit, e cila e sjell Sarandën më afër se asnjëherë, edhe me Kosovën.
Suksesi i sezonit të ri është projektuar me kontaktet me biznesin vendas. Por është programuar, po kështu, një tur takimesh edhe me agjencitë turistike në Kosovë, që sjellin turistë në gjithë vijën bregdetare shqiptare.
Nga fqinji ynë, Greqia, vjen lajmi se 1 marsi është përcaktuar si data zyrtare e çeljes së sezonit turistik 2022. Dhe publikimi i kësaj date është shoqëruar me informacionin se Greqia heq çdo kufizim të deritanishëm, çka nënkupton edhe heqjen e kërkesave që ishin kusht për hyrjen në shtetin grek.
Mbrëmjen e djeshme është mbyllur në Sarandë Kampionati Lokal i Shahut, një veprimtari shahistike e përvitshme, që ka kujdesin e Bashkisë dhe organizohet nga Klubi Shumësportësh. Ky Kampionat, që sivjet është në edicionin e 21-të, u zhvillua për 5 ditë me radhë nga 17-21 shkurt. Morën pjesë tre grupmosha: fëmijë, të rinj e të rritur, të përfaqësuar nga 22 shahistë, që zhvilluan gara dhe përballje interesante. Në mbyllje, u nderuan me mefalje e diploma shahistët më të mirë dhe u zbulua fituesi i Kupës së edicionit të 21-të, që ishte shahisti Erald Mihasi. Me diploma për vende nderi u vlerësuan edhe dy emrat e njohur të shahut të të rinjve Kelvin Kosta e Eklea Omeri, të njohur edhe në arenën europiane të shahut. Të tre këta emra fituan kështu të drejtën dhe do të udjëtojnë nesër drejt Bosnjë-Hercegovonës, për të marrë pjesë në Kamionatin Ndërkombëtar të Shahut, që zhvillohet atje.