Shkrirja e gjykatave, kreu i avokatëve të Sarandës: U nisa që mbrëmë se nuk kishte autobus që unë të mbërrija në takim në orën 10:00
“Jam nisur që mbrëmë se nuk kishte autobus që unë të mbërrija në orën 10:00 këtu”. Ky ishte shembulli konkret i kreut të dhomës së avokatisë Sarandë mbi kalvarin që i pret qytetarët mbas mbylljes së shumë gjykatave.
“Tani nëse vonohem gjysmë ore jam i detyruar të fle prapë këtu”, i tha Merdan Nora me ironi ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja gjatë një takimi në Tiranë ku u diskutua harta e re gjyqësore në vend.
Sipas variantit të propozuar do të ngelen vetëm 12 Gjykata të Shkallës së Parë në 12 qarqet e vendit. Shkrihen Gjykatat e Apelit nëpër qarqe për t’u përqëndruar gjithcka në Tiranë.
Një gjykatë Administrative e Shkallës së Parë për jugun do të jetë vetëm në Lushnje. Avokatët në të gjithë vendin e kanë kundërshtuar këtë hartë të re gjyqësore.
Mbetet për t’u parë se cfarë do të vendoset deri në fund, por gjasat janë që të mos ketë shumë ndryshime nga drafti i propozuar deri më tani.