Menaxhimi i mbetjeve dhe roli i biznesit: Ardian Gurma tregon detyrat që u la ministrja Kumbaro
Kryetari i Bashkisë Sarandë Ardian Gurma ka folur në MCN Live mbi takimin e zhvilluar me ministren Kumbaro dhe porositë e lëna prej saj sa i takon problematikës kryesore që lidhet me pastrimin e mbetjeve.
Gurma shpjegoi kërkesën për operatorët të cilët duhet t’i menaxhojnë vetë mbetjet, ndërsa theksoi se është rritur fondi për pastrimin.
“U zhvillua një takim me kryetarët e bashkisë në kuadër të nismës për pastrimin e territorit dhe në kuadër të përgatitjeve për sezonin turistik. Ministrja Kumbaro listoi problematikat para operatorëve turistikë. Ky takim ka konsistuar në dhënien e porosive dhe direktivave për sqarimin e situatës për stacionet e plazhit, sepse në vitet e kaluara ka pasur problematika, dhe këtë vit duke filluar përgatitja në janar shpresoj që situata të jetë e qetë. Bashkia e Sarandës prej 2 vjetësh aplikon një zonë që është pa pagesë për publikun. Sa i përket stacioneve të plazhit, sot është hapur aplikimi në e-Albania dhe kushdo i interesuar mund të aplikojë”, tha kryetari i bashkisë Sarandë.
Duke u ndalur te çështja e pastrimit të mbetjeve, Gurma u shpreh:
Është një nga çështjet më të nxehta dhe nevralgjike. Kemi ngritur një task forcë që është destinuar për pastrimin. Janë bërë monitorime dhe jemi angazhuar me të gjitha bizneset për detyrimet që ata kanë për oraret e nxjerrjes së mbetjeve nga bizneset e tyre. Kemi bërë një rritje gati 18,5 milionë lekë të reja vetëm për pastrimin. Kemi shtuar fondin që të përgjigjemi më mirë në situatat ku ka pasur probleme, kryesisht në Ksamil dhe zonën e qytetit. Duhet edhe ndërgjegjësimi i qytetarëve dhe angazhimi i vetë bizneseve. Bizneset kanë ngritur argumentet tyre mbi çështjen, por në përgjithësi janë bashkëpunues”.
Kryetari i bashkisë Sarandë u ndal edhe të problematika e furnizimit me ujë duke u shprehur se: “Jemi duke përmbyllur një nga dy investimet madhore. Ka përfunduar në zonën e Ksamilit dhe shpresoj që gjatë sezonit të kemi një përmirësim të furnizmin me ujë”.