Turizmi tjetër sipas Ramës, edhe në Sarandë: Do të vijë një ditë….
Kryeministri Rama beson se agroturizmi në Shqipëri ka aq të ardhme sa një ditë mund të konkurojë dhe turizmin masiv, atë veror.
Nga Mulleti në Tiranë, në kuadër të çeljes së thirrjes për projekte të financuara nga Bashkimi Europian, përmes programit IPARD II, ai tha se do të vijë një ditë ku për nga rëndësia dhe të ardhurat ekonomike të agroturizmit do të jenë të barabarta me turizmin bregdetar.
“Aplikoni për mbështetje, sepse mbështetja është gjithnjë e më e madhe në aspektin financiar, pasi janë të pakrahasueshme me të shkuarën e deri djeshme. Do vijë një ditë kur turizmi rural do jetë i barasvlefshëm me turizmin bregdetar”, tha i pari i qeverisë.
Ai, në fjalimin e tij përmendi në një rast dhe Sarandën.
“Do vijë një ditë që oferta e agroturizmit në Shqipëri do të jetë e atillë që do ta bëjë kërkesën gjithmonë e më të lartë dhe pa diskutim edhe të ardhurat e atyre që do të investojnë në këtë fushë, gjithmonë e më të konsiderueshme dhe me gjithë mbështetjen në aspektin fiskal që ne i japim agroturizmit dhe me të gjitha lehtësitë që sipërmarrja në agroturizëm ka sot nga mbështetja shtetërore, është gjynah që të kesh një tokë në një pikë të bukur të natyrës shqiptare, qoftë në fshatrat përreth Tiranës, qoftë në majat e maleve, qoftë në kodrat pranë Durrësit apo Shkodrës apo Sarandës, e kështu me radhë e të mos e shfrytëzosh për të krijuar ekonomi e për të zhvilluar ekonominë tënde familjare, duke kontribuuar dhe në ekonominë kombëtare, është vërtetë gjynah”, tha Rama.