Sarandë, një shqetësim për këdo që mundet dhe duhet të dëgjojë…
Nga Pirro Naçi
Të paktën nga paraqitja e jashtme, është një ‘’fyerje’’ për ata që dhanë jetën për Atdheun. Shteti, pra të gjithë ne, nuk i nderojmë ashtu siç i ka hije veprës së tyre, këtë na e tregon edhe imazhi i Varrezave të Dëshmorëve në Sarandë. Sado aktivitete përkujtimore që të organizohen, kjo ikonë flet më shumë.
Nuk mjafton të vendosësh buste në anë të detit…se ana e detit është për të tjera gjëra. Τë gjithë që dhanë jetën për Atdheun me një plumb kaluan në përjetësi.
Plumbi nuk i bën disa heronjë dhe disa dëshmorë. Shumë mirë bëjmë që i përjetojmë heronjtë në buste por duhet të tregojmë të njëjtin përkushtim edhe për ata që prehen në Varrezat e Dëshmorëve, ku pllakat përkujtimore të tyre po i gryen myku, myku që ka hyrë dhe ‘’shpërbën’’ edhe qëndrimin tonë për të rënët.
Arti si mjet shprehës i ndjenjave dhe mendimeve, mund të jetë një ‘’dhuratë’’ për të përmirësuar hapësirat publike, për të dhënë identitet, karakter dhe krenari. Ideja e busteve ishte interesante por ajo kërkonte një realizim më të gjetur arkitektonik e mjedisor. E bukura dhe e shëmtuara në art dhe arkitekturë ndahen nga një fije fare e hollë…Aty duket se sa ‘’pelivanë’’ janë ata që vendosin dhe aty përcaktohet dhe suksesi.
Saranda ka shumë vende dhe hapësira publike për të dhënë përjetësi figurave të shquara . Edhe në një Muze po të shkosh, nuk do të gjeshë në një sallë, Filozofin e dijetarin bashkë me shkrimtarin e disidentin, historianin e politikanin Rumun, me Heroin e Popullit dhe Atentarorin !!! Ai vend është i Hasan Tahsinit…është nga të parat skulpura parku në qytet, e ka me ‘’tapi’’…
Të mos të nxjerim sytë për hirë të vetullave.
Nuk dua të mohojë mundin e asnjërit dhe në veçanti të Veteranëve dhe organizatës së tyre.
Ata mirë e bëjnë punën, ndoshta edhe të paktë tashmë në numër dhe i kemi shumë për borzh…
Problemi nuk është vetëm i tyre, është më i gjerë, më i madh dhe i të gjithëve… Një nga të gjithët jam edhe unë. Prandaj them mendimin tim. Megjithëse sot është krijuar një tabu, një ‘’kulturë e re ’’, ose duhet të vesh me ‘’rrymën’’, ose të thuash atë që ndjen dhe të presësh të të ‘’ varin’’, lloj lloj tabelash, apo të dëgjosh ‘’filozofizmat’’-‘’ç’të duhet ty’’. Disa mendojnë se patriotizmin ja ka dhënë Hipoteka…!
….Qysh kur u krijuan këto varreza nuk kam munguar në ceremonitë që organizoheshin, madje shumë herë kam bërë edhe roje nderi. Këto më kanë lënë mbresa… Sot falë disa sajdeve jam aty,live.
Ishte vëndi më ideal për tu prehur…. Por, mendoj se po i ikën pak e nga pak ‘’shkëlqimi’’. Për shumë arësye… Nuk flas për mënyrën e organizimit apo numrin e vogël të pjesmarësve në këto ceremoni. Ky ndoshta është një ‘’kapitull’’ tjetër…
Kur fillova të mendoj për këto rjeshta, hodha një sy se si organizohen veprimtari të ngjajshme në Francë, Angli, Itali dhe Greqi…
Katër muaj më parë vizitova në Athinë Memorialin dhe Varrezat e Luftës së ‘’COMMONWEALTH’’-it, ( shih foton )… Janë pothuajse 2067 të rënë nga Anglia, Kanadaja, Australia, Afrika e Jugut, India të cilët fati dhe lufta i la përgjithmonë në këto anë.
Arkitektura e përshtatur enkas , gjelbërimi pothuajse i ‘’pikturuar’’ si me pinelë, pllakat përkujtimore të gdhendura me finesë dhe çdo gjë tjetër të bënte të hyje thellë në mendime dhe meditime. Një respekt nga Shtetet për të rënët që të prekte në shpirt dhe në zemër. Respekt që i ka hije të rënëve. Kjo organizatë ka në historikun e saj 100-vjeçar, për të dy Luftrat Botërore 23000 objekte memoriale, në 150 vende…
Këto ikona më ‘’ngacmuan’’ dhe mendimi shkojë pak më tej… për një Memorial ne Varrezat e të Rënëve në Sarandë, me një këndvështim të ri, që ti shërbejë brezave të rinjë, dhe imazhit të qytetit turistik, siç i ka hije traditës sonë. Por tradita duhet të pasurohet…
Në qoftë se 60-50 vjetë më parë në çdo qytet u ngritën ‘’Varrezat e Dëshorëve’’ të cilat e kryen misionin e tyre më së miri, kjo nuk do të thotë që të mos shikojmë për diçka më të mirë, më të pasur, për një konceptim të ri.
‘’Varrezat e Dëshmorëve’’ duhet të kenë karakterin e një ‘’Memoriali për të rënët e Luftës’’ ku informacioni duhet të jetë më i gjerë dhe më i plotë për çdo të rënë në luftë që prehen në atë vend, por edhe për vetë luftën. Një konceptim i tillë kërkon padyshim Arkitektin , Inxhinjerin, artistin, skulporin, gurgdhendësin e talentuar, Historiani dhe padyshim të ‘’zotin e shtëpisë’’, Veteranët.
Në qoftë se vendi ekzistues i Varrezave të Dëshmorëve nuk i përmbush kushtet për diçka të tillë, Shteti le të reflektojë.
Jo larg Varrezave, ndodhet ‘’Vila e Pritjes’’, në mes të një gjelbërimi pothuajse ‘’përallor’’, e pa prekur nga betonizimi. Për veten e vet ‘’Shteti’’ di seç bën, ndoshta akoma rron me ëndrra nga e kaluara !!!
Le të ‘’zgjohet’’ dhe ta japë këtë vend për një Memorial të ri për të rënët , Vila ti jepet në ‘’pronësi’’ Veteranëve, të kthehet në Muzeun e Luftës, dhe ndoshta 44-tra të gjejë rrënjët e thella në luftrat e shekujve të largët.
Për të gjitha këto më vjen të ‘’bërtasë’’ për këdo që mundet dhe duhet të dëgjojë. Në radhë të parë për këta ‘’ngelsat’’ e sistemit që na drejtojnë.