Ministri Çuçi: Nuk do të ketë mungesë ushqimesh në tregje
Teksa Shqipëria vijon të jetë në karantinë prej disa ditësh, Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, garanton se nuk ka dhe nuk do të ketë mungesë në tregje të ushqimeve dhe produkteve të tjera.
Ai thotë se operatorët e biznesit ushqimor, si dhe fermerët dhe blegtorët po vijojnë punën duke u përshtatur me masat e ndërmarra nga qeveria për parandalimin e përhapjes së Covid-19.
Ai përsërit edhe njëherë thirrjen për të kufizuar lëvizjet dhe qëndruar në shtëpi.
Reagimi i plotë i Çuçit
Krahas mjekëve, infermierëve, punonjësve të rendit e sigurisë që janë në radhën e parë të kësaj situate të vështirë ka edhe një grup tjetër që është në shërbim të shoqërisë dhe që vijon punën për të garantuar një gjendje ‘normaliteti’, në kushtet kur i gjithë vendi është në një karantinë të plotë. E kam fjalën këtu për fermerët, blegtorët dhe gjithë operatorët e biznesit ushqimor.
Puna e tyre do të vijojë sepse nuk mund të ndërpresim për asnjë çast zinxhirin e prodhimit dhe furnizimit. GARANTOJ se nuk ka dhe nuk do të ketë mungesë në tregje të ushqimeve dhe produkteve të tjera.
Vërtet kjo është një situatë e pazakontë, por aktiviteti i subjekteve prodhuese dhe importuese vijon nën një regjim masash të rrepta të distancimit social, si mënyra e vetme për të parandaluar përhapjen e Covid-19. Fermerët e blegorët gjithashtu nuk mund ta ndërpresin punën e tyre, thjesht edhe ata po i përshtaten masave të vendosura nga qeveria në kuadër të kësaj pandemie botërore.
AKU është në terren në të gjithë vendin duke inspektuar subjektet që janë hapur, për të garantuar sigurinë ushqimore dhe për të mos lejuar abuzimin me çmimet.
Është e rëndësishme që të gjithë bashkë të vijojmë sakrificën e madhe të kufizimit të lëvizjeve derisa ta fitojmë këtë luftë me armikun e padukshëm. Dhe padisuktim që ne do ta fitojmë. S’ka rrugë tjetër!