Kapet i rrezikshmi nga Tirana, vrasësi i Florian Selmanit nga Saranda
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 kanë bërë lokalizimin e vendndodhjes së një personi të shpallur në kërkim për vrasje me dashje dhe armëmbajtje pa leje.
Mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative u organizua dhe u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Reagimi”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit në kërkim Xhevahir Mzhika, 51 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas u kap në rrugën “Babë Rexha”, anës lumit, dhe në momentin e ndërhyrjes së Policisë ka tentuar të largohet, por është neutralizuar nga shërbimet e Policisë.
Këtë shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë e ka dënuar me 10 vite burgim për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Armëmbajtja pa leje”.
51-vjeçari është autori i ngjarjes së ndodhur më datë 16.08.2014, tek isha Fusha e Aviacionit, ku ka vrarë me armë zjarri shtetasin Florian Selmani nga Saranda.
Sipas Gjykatës, Florian Selmani dhe vëllai i tij kanë pasur në pronësi një servis automjetesh pranë ish-Fushës së Aviacionit. Xhevahir Mzhika është me banim në të njëjtën lagje dhe ka qenë klient i këtij servisi.
Në fillim të muajit gusht 2014, Xhevahir Mzhika ka shkuar te servisi dhe ka ndërruar një gomë të automjetit tip “Mercedes Benz”, me targa AA… Në datën 15 gusht 2014, Xhevahir Mzhika ka qenë duke udhëtuar me familjen e tij në autostradën Durrës-Tiranë, por gjatë rrugës i ka pësuar defekt goma e ndërruar te servisi. Në vendimin e gjykatës thuhet se nga ky defekt është rrezikuar jeta e tij dhe e familjarëve që ishin në automjet. Xhevahir Mzhika është revoltuar nga kjo ngjarje.
Për këtë arsye të nesërmen, në datën 16 gusht 2014, Xhevahir Mzhika ka shkuar te servisi ku ishin duke punuar dy vëllezërit për t’iu kërkuar llogari, për shkak se nuk ishin treguar të kujdesshëm kur i kishin ndërruar gomën e automjetit. Mes tyre ka nisur një konflikt lidhur me gomën e ndërruar disa ditë më parë, konflikt i cili ka vijuar me përleshje fizike midis tyre, derisa kanë ndërhyrë për t’i ndarë disa persona të pranishëm.
Gjatë përleshjes, Xhevahir Mzhikës i ka rënë në tokë një çantë e zezë, të cilën e mbante të hedhur krahëqafë. Duke u larguar për nga porta e servisit, ai është ulur, ka marrë çantën, ka nxjerrë prej saj një pistoletë të vogël me ngjyrë gri, me të cilën ka qëlluar një herë drejt viktimës Florian Selmani. Ai ka shtënë nga një distancë e afërt në pjesën e majtë të kraharorit.
Viktima ka vazhduar të ecë pak metra dhe më pas është rrëzuar, duke humbur ndjenjat për shkak të gjakderdhjes. Ai është shoqëruar menjëherë për në spital nga vëllai i tij, por nuk ka mundur t’i mbijetojë plagës së marrë. Nga ana tjetër, pasi ka qëlluar me armë, Xhevahir Mzhika është larguar menjëherë dhe që nga ajo ditë nuk ishte gjetur më, deri ditën e sotme kur është arrestuar.