Rama nuk e pret në takim, Limoz Dizdari: Jam i zhytyr në borxhe, ja ku është njëri prej tyre…
Për të disatën ditë me radhë kompozitori dhe ish-deputeti Limoz Dizdari vijon protestën e tij përpara kryeministrisë, për konfliktin që ka mbi qendrën DEA në Ksamil, të cilën ia kanë marrë, dhe nuk e lejojnë të hyjë brenda.
Ai thotë se është duke protestuar në mënyrë që qeveria të mbajë përgjegjësitë e veta, ndërkohë që vazhdimisht kërkon takim me kryeministrin Edi Rama.
Me humor ai thotë se duhet të jetë kriminel i madh dhe i rrezikshëm sa kohë që nuk i garantohet një takim me Ramën.
“Duhet të jem kriminel i madh, me precedentë, që nuk pranojnë të më takojnë. Kemi bërë 42 kërkesa për të takuar Ramën dhe përfaqësues të qeverisë, nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Kam bërë kërkesë në SPAK, e hoqi nga vetja Arben Kraja dhe e ka çuar në prokurorinë e Sarandës.
Është i trembur, maksimalisht i trembur. Këta kanë vepruar në mënyrë anti-ligjore, kanë prishur pasuri me vlerë 900 mijë euro. Pasuri kolosale kanë mbyllur dyert, nuk hyn dot, kam 23 vite që e kam menaxhuar atë qendër. E kam mbajtur me forcat e mia, jam zhytur deri në fyt në borxhe me miqtë e mi, kanë qenë njerëz dashamirës që mi kanë dhënë”, shprehet Dizdari.
Ai thotë se nuk mund që të marrë asgjë nga qendra DEA, përfshirë dhe rrobat e trupit.
“Kam vjedhur tutje tu (bën ironi), ja tek e ke një nga miqtë e mi të vjetër që i kam detyrime, çfarë flisni”, apelon Dizdari nga ambientet përpara kryeministrisë.