Hije dyshimi për fituesin e tenderit, Basha sulmon Ramën: Samir Mane të mori për tunelin e Llogarasë
Lulzim Basha i quajti oligarkë ata që Rama preferoi t’i konsideronte “sipërmarrës dhe bizesmenë të mëdhenj” gjatë seancës në parlament dhe si rrallëherë ka folur me emra për ta në parlament, duke i lidhur me akuzat për kontrabandë nafte apo me bashkëpuntorë të trafikut të drogës. Basha përmendi Shefqet Kastratin dhe Samir Manen, të parin për kontrabandë nafte dhe të dytin për tenderin e tunelit të Llogarasë.
“Tani ta sqarojmë diferencën mes sipërmarrësve të mëdhenj dhe oligarkëve të tu, të cilët nga 12 shkuan 6 dhe tani janë katandisur sa gishtat e një dore. Pse të ra heshtja ty kur të thanë që 30% e karburantit futet kontrabandë. Do emra? Emra do? Merre mikrofonin dhe thuaj “dua”. Pse? T’i them unë? Të mori Baca Çet ty? Ee? Të mori Baca Çet? Kështu? Zamiri të mori pët tunelin e Llogarasë? Ça emri tjetër do? Se janë fut edhe ca të tjerë që nuk merret vesh ku fillon droga e ku mbarojnë paratë e tua? Se gjysmën e gropave e hap droga në Tiranë, gjysmat i paguani me paratë që i keni vjedh shqiptarëve. Se Tirana thotë “nuk merret vesh nëse Çet Kastrati është pronari apo administratori i parave të tua?” tha Basha.
Por Rama e akuzoi se ishte duke vendosur gjoba, duke i përmendur biznesmenët, si një mënyrë që opozita i përmend disa herë dhe pastaj hesht një herë e mirë.
“E di gjithë Shquëpëria që këto janë gjoba dhe e di gjithë Shqipëria që goditet një person si oligark dhe këto janë gjoba. Këtë person që përmende mblidhi të dhënat dhe coji në SPAK. se nuk është bërë për të na ndjekur ne SPAKU, në kuptimin se çfarë themi ne këtu edhe të na vijë nga pas.” tha Rama duke i qëndruar idesë se emrat që përmendi Basha janë biznesmenë dhe jo oligarkë.