Hari Imeri: Basha e do, edhe Berisha e di që do, po ç’të bëjnë…

Hari Imeri kreu i degës së PD Delvinë, ka dhënë një opinion të tijin për betejën Basha-Berisha.

Imeri shkruan se Basha e do shumë Bershën dhe ky i fundit e di këtë gjë, por s’kanë çfarë të bëjnë pas atij vendimi që e ka shpallur “non grata”.

SHKRIMI

Në mëngjes zgjohemi me artikuj: “kryetarët e degëve kundër Bashës”, në darkë flem me artikuj: “kryetarët e degëve kundër Berishës” !

E vertetë është kur thuhet se, gënjeshtarët dëmtojnë më shumë se magjistarët, por është edhe një e vërtetë tjetër ku thuhet se, të sinqertët e kanë mirësinë e tyre te Zoti i Gjithësisë.

Të dashur miq!

Kryetarët e degëve janë shtresa më vitale dhe e sprovuar në këto 8 vite opozitë. Sakrificat sublime të pashembullta dhe mundi i tyre mund të krahasohet me atë të heronjëve. Nuk e teproj kur them heronjëve sepse në këto 8 vite ata zgjodhën të ishin larg familjes dhe të dashurve të tyre, për të qënë afër me Partisë Demokratike, në kohën e saj më të vështirë, ku shumë prej atyre që ndërtuan saraje mbi mundin e demokratëve, e braktisën atë.

Kryetarët e degëve luftuan me sakrifica kundër krimit të veshur me pushtet, luftuan me dinjitet, kurajo dhe vendosmëri, pa asnjë ndihmë dhe pa shëndet ekonomik. Njoh prej tyre që për hirë të këtij misioni fisnik, në raste organizimi përgjysmonin fondin e tyre shtëpiak, me qëllim arritjen e objektivave për zhvillimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Për dashurinë ndaj Dr.Sali Berishës:

Ju administratorë gazetash dhe rrjetësh sociale që fryeni si macet ku në pasqyrë e shohin veten Tigër, duhet të dini para se të gjykoni.

Unë rrjedh nga një famije ku gjyshi im u dënua me burg sepse kishte bindje kundër diktaturës, pra para se të dilte ne skenë PDSH.

Babai im është një ndër disa themelues dhe xhaxhai ish-drejtues i PD Delvinë në vitet 1997.

5 vëllezër dhe shumë nipër të cilët ishim të gatshëm të negocionim me jetën tonë për mbrojten e Dr.Berishës, e theksoj me gjënë më të shtrenjtë, me jetën tonë, atë kohë kur shumë “trima” që sot japin “leksione trimërie pas lufte”, atë kohë mbushnin bodrumet me “ngarkesë emocionale” nga frika e skuadrave të pushkatimit të ashtuquajtura “Komitete Shpëtimi”. Nuk jemi penduar, edhe sot do ta bënim të njëjtën gjë për Z.Berisha sepse ai së bashku me studentët dhe Azemin rrezikuan jetën e tyre që ne sot të jemi të lirë.

Vendimi i Z.Basha është i vështirë dhe na trishton të gjithëve, sikurse vendimi i dikurshëm i Z.Berisha për distancimin nga lideri i dhjetorit Z.Azem Hajdari, kohë e cila pati kontestime të mëdha por ishte një vendim që Z.Berisha e gjykoi si të drejtë për ecurinë e Partisë Demokratike.

Por të pretendosh se Z.Basha nuk e do Z.Berisha është si pretendosh se ka lindur dielli por nuk ka zbardhur dita. Të gjithë e dimë, akoma më mirë nga ne e di Z.Berisha se, nëse do të ishte në dëshirën e Z.Basha, ai vendim nuk do të ishte marrë kurrë.

Dr.Berisha e di shumë mirë se ç’farë është përballja me shtetit më të fuqishëm të botës, ndryshe nuk do të bashkëpunote me ta, ku në vitet 2005 pas 8 vitesh opozitë do të merrte drejtimin e vendit.

Sot Dr.Berisha duhet të ngrihet në lartësinë e një burri shteti që kërkon koha dhe të influencoj me kredencialet dhe vizionin e tij në bashkimin dhe konsolidimin e Partisë Demokratike. Pa Partinë Demokratike në qeverisje të vendit Shqipëria ka njohur dhe do të vazhdoj të njohi vetëm hapa pas, regresive.

Kryetar i degës të Partisë Demokratike Delvinë 2014 dhe në vazhdim…

Hari Imeri.