Detajet nga ngjarja: Si u plagosën me thikë, dy të rinjtë e një kompleksi turistik në Sarandë
Një plagosje është regjistruar në Sarandë mbrëmjen e djeshme.
20-vjeçari Aurel Shino, punonjës parkimi në një kompleks turistik, është paraqitur në spital me plagë të shkaktuara nga një thikë në anën e majtë poshtë brinjëve.
Ai mësohet se është zënë për motive të dobëta me 23-vjeçarin Odisea Lamaj. Konflikti sipas raportimeve ka ndodhur jashtë vendit të punës, në rrugën “Turizëm-Kanali i Çukës”.
Edhe pse i plagosur, ai ka tentuar të shkojë me mjetin e punës për në spital, por nga plagët e marra, është ndalur rreth 1 km nga vendi ku ndodhi konflikti. Aty, ai është marrë nga një makinë e rastit, që e ka dërguar për në urgjencë.
Njoftimi i Policisë
Sarandë/Plagosi me mjet të mprehtë një 20-vjeçar, shoqërohet autori i dyshuar i ngjarjes.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, pas marrjes së njoftimit rreth orës 19:30, se në rrugën Butrinti, Sarandë, ishte goditur me mjet të mprehtë shtetasi A. SH., menjëherë kanë shkuar në vendngjarje dhe falë veprimeve të shpejta e profesionale bënë të mundur identifikimin, kapjen dhe shoqërimin në Komisariatin e Policisë Sarandë për veprime të mëtejshme procedurale të shtetasit O. L, 23 vjeç, banues në Sarandë.
Ky shtetas dyshohet se gjatë një konflikti, për motive të dobëta, ka goditur me mjet të mprehtë A. SH., 20 vjeç, banues në Sarandë, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes .