Autoritetet ‘zgjohen’ pas aksidentit me pesë viktima, vendosen sinjalistikat në Qafë Muzinë, shoferët: Mungojnë barrierat mbrojtëse, është rrugë e ngushtë
Pas aksidentit tragjik ku humbën jetën 5 persona në Qafë Muzinë, pranë vendit të ngjarjes, janë vendosur sinjalistika rrugore. Por sipas drejtuesve të mjeteve, aksi Gjirokastër – Sarandë është shumë i rrezikshëm duke shtuar se është i ngushtë dhe i amortizuar. Ata shprehen së në këtë aks mungojnë barrierat mbrojtesë dhe sinjalistikat.
Nëse vendi ku ndodhi aksidenti tragjik me 5 të vdekur në Qafë Muzinë, do të kishte barrierë mbrojtëse, bilanci i viktimave mund të ishte më i vogël, duke shpëtuar jetën e 5 turistëve fatkeq që po udhëtonin me furgonin e linjës Tiranë-Sarandë.
Por u desh që të humbin 5 jetë që Autoriteti Rrugor të zgjohej e të vendoste sinjalistika në këtë aks rrugor, i cili prej vitesh nuk ka njohur asnjë investim duke e shndërruar në hotspot për aksidentet.
Qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve shprehen se rruga që të çon për në Sarandë është e frikshme pasi është e ngushte dhe pa sinjalistika. Ata shprehen se rruga është e amortizuar dhe se instancat përkatëse nuk kanë marrë masa për rehabilitimin e saj.
Sipas drejtuesve të mjeteve, sinjalistikat janë vendosur vetëm në aksin rrugor ku ndodhi aksidenti dhe jo në të gjithë rrugën duke e cilësuar përshkrimin e saj me mjet si shumë të frikshme.