Policia e Vlorës, 1610 masa administrative në dy javë
Policia Rrugore e Vlorës vazhdon kontrollet në të gjitha akset rrugore për të garantuar sigurinë e jetës së qytetarëve në rrugë.
Shërbimet e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë kanë ushtruar kontrolle të shumta në të gjitha akset rrugore, jo vetëm për menaxhimin e trafikut, por dhe për evidentimin dhe ndëshkimin e drejtuesve që drejtojnë mjetet pa leje drejtimi, nën efektin e alkoolit, bëjnë parakalime të gabuara ose drejtojnë mjetin me shpejtësi mbi normat e lejuara.
“Gjatë 15 ditëve të para të muajit korrik janë arrestuar në flagrancë 8 shtetas që drejtonin mjetet e tyre pa leje drejtimi ose nën efektin e alkoolit. Në të gjithë qarkun e Vlorë, gjatë 15 ditëve të para të muajit korrik janë vendosur 1610 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor Janë pezulluar 36 leje drejtimi, nga këto 16 për pije alkoolike, 14 për shpejtësi tej normave të lejuara dhe 6 për parakalime të gabuara; Janë vendosur 55 masa administrative për mosvendosje të rripit të sigurimit;65 masa administrative për përdorim të aparateve gjatë drejtimit të mjetit;Është bërë bllokimi i 19 mjeteve, për mungesë dokumentacioni”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia Rrugore Vlorë apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve dhe motomjeteve, si dhe për këmbësorët, që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.