Meta dekoron grupin polifonik dhe artistë të Sarandës: Nderim për lartësimin e kësaj vlere të trashëgimisë tonë
Ilir Meta ka dekoruar grupin polifonik dhe artistë të shquar të trevës së Sarandës me rastin e përfshirjes nga UNESCO të isopolifonisë shqiptare në listën e “Kryeveprave të trashëgimisë të njerëzimit”, në një ceremonie të organizuar në Kalanë e Lëkurësit.
Meta i akordoi Titullin “Naim Frashëri” Ansamblit “Zëri i Bilbilit”, me motivacionin “Për kontributin e spikatur dhe të pandërprerë në ruajtjen, pasurimin dhe transmetimin e këngës polifonike, si një vlerë e vyer shpirtërore e trashëgimisë kulturore, për pjesëmarrjen e suksesshme në aktivitete kulturore dhe festivale folklorike brenda vendit dhe jashtë vendit, si mbështetës aktiv i turizmit kulturor dhe si përçues tek brezat e rinj i vlerave kulturore të këngës polifonike dhe valles tradicionale”.
Po kështu edhe këngëtarët Xheladin Beqiri, Katerina Kule dhe Petrit Metushi, si dhe intepretuesin e spikatur Kiço Kapetani pas vdekjes. Në fjalën e tij drejtuar artistëve, këngëtarëve, rapsodëve, muzikologëve dhe studiuesve të polifonisë, si dhe familjarëve kreu i shtetit u shpreh:
“Jam shumë i lumtur që ndodhëm këtu së bashku me ju në Kalanë e Lëkurësit, për të nderuar historinë e lavdishme të luftërave për liri, si dhe për të vlerësuar disa prej korifenjve sarandjotë të këngës sonë polifonike. E meritojnë korifenjtë e polifonisë këtë vlerësim dhe kënaqësi për gjithçka, që ata kanë bërë për Atdheun, për të forcuar shpirtin kulturor të kombit, identitetin tonë si dhe për të lartësuar deri në UNESCO polifoninë shqiptare”, tha Meta.