Kujdesi për fëmijët tek “Vangjel Pulla”, dekorohen edukatoret Anastasia Koloi dhe Haxhire Xhama
Presidenti Ilir Meta ishte sot në një vizitë tek shtëpia e fëmijës “Vangjel Pulla”.
Ai ka dekoruar disa prej edukatoreve që kujdesen për fëmijët
“Në themel të punës edukative të Shtëpisë së Fëmijëve Shkollorë Sarandë qëndron një histori e gjatë e përpjekjeve dhe sakrificave njerëzore, plot dashuri, përkushtim dhe humanizëm nga shumë gjenerata drejtuesish, edukatorësh e punonjësish të përkushtuar ndaj arsimimit dhe mirërritjes së vogëlushëve jetimë, të cilëve u jemi përjetësisht mirënjohës.
Ndër më të spikaturit mes tyre është i paharruari Vangjel Pulla, emri i të cilit është i lidhur pazgjidhshmërisht me historinë e këtij institucioni sepse për vite me radhë, me shumë pasion, u angazhua për të ngritur standardin e jetesës, nivelin e arsimimit, socializimit dhe integrimit të plotë të fëmijëve jetimë në shoqëri, duke u shndërruar në një prind të dytë të tyre.
Për gjithë këtë kontribut të vyer pata nderin ta çmoj sot me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”.
Një vlerësim të merituar me Titullin “Naim Frashëri” bëra edhe për dy edukatore dhe punonjëse shumë të dashura të Shtëpisë së Fëmijës, znj.Anastasia Koloi dhe znj.Haxhire Xhama, të cilat dhanë një ndihmesë të çmuar në dekada, si në edukimin, ashtu edhe në rritjen e kujdeshme dhe të shëndetshme të fëmijëve jetimë.
Vlerësimi i disa prej ish-punonjësve më të spikatur të këtij institucioni, është promovim dhe inkurajim i modeleve që duhen të ndjekin mësuesit dhe edukatorët e rinj, sa i takon mbështetjes së fëmijëve pa kujdes prindëror, për t’ju mundësuar të përmbushin të gjitha ëndrrat, për të qenë të realizuar dhe të suksesshëm në jetë”, shkruan Meta.