“Sarandën e penalizon mos hapja kufirit me Greqinë”, Jolio Dine: Presim fluks në Korrik e Gusht
Pas një viti pandemie me mjaft sfida sektori turistik ka nisur aktivitetin me ritme të ngadalta në bregdetin jugor të Shqipërisë.
Në Sarandë agjensitë turistike po menaxhojnë grupet e para turistike të huaja, kryesisht nga vendet e Europës Lindore.
Në zonën bregdetare në Sarandë është rritur së fundi kapaciteti i hotelerise ndonëse ky ishte nga sektorët më të prekur nga pandemia.
Jolio Dine, që punon në këtë fushë thotë se Saranda ka përmirësur shërbimet dhe insfrastruktura është më e mirë dhe krahasimisht me vitin e shkuar ka një rritje të prurjes turistike.
“Ka një rritje të turistëve në përgjithësi dhe atyre që e frekuentojnë hotelin tonë. Ka një rritje për tremujorin duke e krahasur me vitin e shkuar, ka më shumë prurje dhe më shumë rezervime. Shpresojmë që korriku, gushti por edhe shtatori të jenë më mirë se viti i shkuar.”, thotë zoti Dine.
Ai thotë se hapja e kufijve me Greqinë do të sillte lehtësi për lëvizjen turistike ndërkohë që masat në kuadër të pandemisë kanë ndikuar këtë vit në mosardhjen e turistëve nga vendet nordike.
“Sarandën vazhdon “ta penalizojë” mos-hapja e kufijve me Greqinë. Ndërkohë me vendet nordike e kemi të bllokuar këtë vit marëdhënien bilaterale për shkak të masave të pandemisë por shpresojmë që vitin tjetër këto masa të hiqen dhe turistët nordikë që janë të shumtë për qytetin tonë të rikthehen“.