VIDEO/ Pronari u arrestua tre ditë më parë, shembet ndërtesa në Ksamil
Operacioni i Inspektoratit të Kontrollit dhe Mbrojtjes së Territorit për prishjen e ndërtimeve pa leje ka vijuar në ditën e tij të tetë në Ksamil. Fadromat shembën sot një pishinë pranë një hoteli ne qendër të Ksamilit dhe një shtesë të një godine ekzistuese në truallin në pronësi të 52-vjeçarit, Lefter Marku. Ky i fundit u arrestua ditën e premte nga policia e Sarandës për ndërtim pa leje në lagjen nr. 2 në Ksamil.
Mjetet e rënda të IKMT-së ditën e sotme kanë filluar operacionin e tyre dhe në bregdetin e Shëngjinit. Në zonën e Ranës së Hedhun pritet shembja e 10 objekteve pa leje.
Vetëm pak ditë më parë, Ministria e Brendshme bëri me dije se në 6 ditët e para të këtij aksioni u shembën 35 objekte pa leje. Gjithashtu bëhet e ditur se në 10 raste kanë qenë vetë qytetarët të cilët i kanë shembur objektet e tyre pas konstatimeve nga ana e IKMT-së. Kjo edhe pas deklaratave të Kryeminsitrit Edi Rama në fillim të këtij muaji i cili i bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të nisin dhe t’i shembin vetë ndërtimet pa leje ose do të përballen me forcën e ligjit.