Panajot Zoto vlerësohet me “Çertifikatën e Mirënjohjes”
Gazetari i njohur nga Saranda, Panajot Zoto, në ditën e 80 vjetorit të lindjes së tij është vlerësuar nga ana e bashkisë së Sarandës me “Çertifikatën e Mirënjohjes”.
Panajot Zoto është një prej gazetarëve që ka dhënë një kontribut në fushën e gazetarisë në Sarandë si dhe autor i disa librave.
“Vlerësuam sot me “Çertifikatën e Mirënjohjes” në 80 vjetorin e lindjes së tij një qytetar të denjë,një prind shembullor,një profesionist karriere e një mik të mirë.
Faleminderit për kontributin e jashtëzakonshëm qytetar e profesional ndër vite!
Edhe 100 Panajot Zoto”, shkruan kryebashkiaku Sarandës Adrian Gurma.
Më poshtë një profil i gazetarit Panajot Zoto.
U lind më 6 qershor 1941. Kreu arsimin 7-vjeçar në Vlorë, dhe më pas arsimin e mesëm “Politeknikumi 7 Nëndori”, në Tiranë. Ka përfunduar kursin e lartë 1-vjeçar të Ekonomisë Politike dhe kursin 2-vjeçar për Gazetari, pa shkëputje nga puna. Qysh në rininë e hershme ka bashkëpunuar me gazetat e kohës dhe në mesin e viteve ’60-të ka nisur bashkëpunimin me gazetën “Zëri i Popullit“ si “korrespodent vullnetar” për rrethin e Sarandës.
Ka punuar në gazetën lokale “Fitorja”, që prej fillimit të daljes së saj (qershor 1971) e deri në fund të viteve ’70-të, në detyrën e redaktorit, ku dhe është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me urdhrin “Naim Frashëri” të klasit të dytë, “Për punë të palodhur në fushën e gazetarisë…”.
Ka qenë prezent në faqet e shtypit shqiptar si bashkëpunëtor i jashtëm, deri në maj të vitit 1997, kur është bërë pjesë e stafit të gazetës “Zëri i Popullit”, fillimisht si korrespodent për Sarandën dhe Delvinën, dhe më pas ka mbuluar edhe rrethet Gjirokastër, Tepelenë e Përmet. Gjithashtu, ka botuar në shtypin e kohës krijime letrare. Në konkursin e vitit 1984, iniciuar nga dega e Lidhjes dhe Biblioteka e Sarandës, ka fituar çmimin e parë për dramën “Në të njëjtën llogore”.
Librat e tij të botuar janë:
- “Mars – ditari i një muaji të trazar” (publicistikë memoriale);
- “Rrëmbimi” – (roman);
- “Inspektori ‘K’” – (roman)
- Të jetosh me lajmin, të rrezikosh për të vërtetën (publicistikë letrare).