Kush është efektivi i ‘Shqiponjave’ i arrestuar në Sarandë
Një efektiv i Forcave “Shqiponja”, që punon në Komisariatin e Policisë së Sarandës, është arrestuar si pasojë e një operacioni të forcave të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Burime bëjnë me dije se efektivi i ndaluar është shtetasi Lavdosh Meta, 38-vjeç, lindur në Fier dhe banues në Sarandë. Meta dyshohet si një person i përfshirë në trafikun e drogës, ndërkohë që duhet të ishte përkrahë ligjit në luftë kundër narkotrafikut.
Në një vështrim në rrjetin social facebook, shihen foto nga jeta luksoze e efektivit Meta, ndërkohë që evidentohen dhe vizitat e shpeshta të tij në kafen “The Boss” , në Lungomaren e Vlorës, në pronësi të shtetasit Bledar Birçaj, të ekzekutuar në një atentat mafioz në datën 10 Maj të këtij viti. Nuk dihet nëse është thjesht një rastësi apo kemi të bëjmë me një njohje personale midis tyre.
Në operacionin e sotëm në Sarandë bëhet me dije se mori pjesë dhe SHÇBA, ndërkohë që operacioni është ende në vijim dhe nuk kemi paraprakisht një njoftim zyrtar nga policia.